Edhe këtë vit Kosova do të tentojë të bëhet pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtarë të policisë, (INTERPOL), mirëpo gjasat që të pranohet janë të pakta.
Pavarësisht asaj se, Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha thotë së është mirë të shtyhet votimi.
Sa i përket INTERPOL-it, unë kam thënë edhe më herët se ne nuk do ta sfidojmë Kosovën, në qoftë se rrethanat nuk janë të favorshme për arritjen e numrit të nevojshëm për anëtarësim. Besoj që vendimi do të shkojë në drejtim të pezullimit, në këto rrethana është më së e arsyeshme ta shtyjmë votimin”, tha ai për Telegrafin.
Berisha tha se ky gjykim i tij është i bazuar në konsultimet me ambasadorët e Kosovës.
Po ashtu edhe analisti politik Arton Demhasaj, tha për Telegrafin se në rrethanat të cilët gjendet Kosova, vështirë që mund të ndodhë anëtarësimi në INTERPOL.
“Duke pasur parasysh dështimin e fundit që ka qenë kur kemi pasur institucione të krijuara, dhe që janë marrë me lobim që Kosova me u pranua në INTERPOL, ka dështuar, atëherë në një situatë të tillë kur Kosova është para zgjedhjeve, dhe shumica e njerëzve janë duke u marrë me fushatë zgjedhore dhe duke marrë parasysh lobimin e dobët që është duke ndodhë, unë mendoj se tani është më e vështirë të pranohet Kosova në Interpol se sa ka qenë herën e fundit. Nuk e nëse institucionet dhe njerëzit kompetent kanë menduar këtë, apo vetëm kanë aplikuar sa të regjistrohet një dështim tjetër i Kosovës sepse gjasat janë minimale”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, shteti i Serbisë është duke vazhduar ta pengojë dhe të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Madje, para disa ditësh, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Kosova nuk do të pranohet në INTERPOL, dhe nëse ndodhë e kundërta ai do të jap dorëheqje.
Ndryshe, Kosova ka dështuar të anëtarësohet në INTERPOL gjatë vitit të kaluar, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai./Telegrafi/