Ka mbetur edhe një ditë afat që Gjykata Kushtetuese të dalë me vendimin për bllokadën politike në Kosovë. Kësaj radhe, rreth zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet.
Kushtetuesja kishte marrë masë të përkohshme deri më 30 shtator, pra ditën e nesërme.
Deri më tash, vendimi nuk është bërë publik.
Përderisa Vetëvendosje po e cilëson Kuvendin e konstituuar, opozita në anën tjetër kanë bërë akuza për shkelje kushtetuese.
Rasti ishte adresuar në Gjykatë nga Lista Serbe.
Presidentja Osmani kishte thënë se me përfundimin e masës, do të vazhdojë me procedurat. Edhe ajo, në gjuhën e VV-së.
“Vendimi për masën e përkohshme nuk paragjykon vendimin përfundimtar për rastin, por ndërkohë ndalon çdo veprim institucional që lidhet me zgjedhjen e qeverisë. Me përfundimin e kësaj mase, do të ftoj partinë e parë për të vazhduar me procedurat e zakonshme”, u shpreh Osmani.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë shumë kritik ndaj këtij vendimi të Kushtetueses.
Si rezultat, edhe gjuha e përdorur ishte tejet e ashpër.
Ky vendim pritet ta gjejë Kosovën pa parinë e shtetit. Presidentja, kryeministri e ministrja e jashtme janë në Amerikë.
Në Kosovë, ka mbetur veç kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është shprehur i shqetësuar me ngërçin politik në Kosovës dhe me sulmet që po i bëhen Gjykatës Kushtetuese nga pushtetit.
Ai ka bërë me dije se të gjitha partitë politike duhet të zotohen se vendimet e kësaj gjykate duhet të respektohen.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, diplomati britanik ka thënë se vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, po, të gjithë po presim me padurim vendimin javën e ardhshme, dhe shpresoj që Gjykata të jetë në gjendje ta japë në kohë. Natyrisht, nuk e di se çfarë do të jetë, dhe nuk mendoj se ndonjëri prej nesh e di me siguri. Mendoj se më e rëndësishmja është që të gjitha palët e përfshira ta marrin shumë seriozisht, të deklarojnë publikisht se do të zbatojnë çdo gjë që sugjeron ose urdhëron Gjykata dhe, mbi të gjitha, të veprojnë për ta zbatuar. Kemi qenë në këtë situatë – pa Kuvend dhe pa qeveri të plotë – për një kohë shumë të gjatë për interesin e Kosovës. Dhe, mendoj se tani është me të vërtetë urgjente. Ka qenë urgjente për një kohë të gjatë që Kuvendi të formohej siç duhej dhe të kishte një qeveri funksionale”, ka thënë Hargreaves.
Ai ka folur edhe për pasojat edhe ngërçit politik.
Sipas tij, Kosovë në mënyrë urgjentin duhet t`i formojë institucionet e reja.
“Mendoj se Kosova po humb gjatë kësaj periudhe, duke mos pasur një zë të plotë dhe të besueshëm ndërkombëtar. Mësa kuptoj, pothuajse një miliard euro grante dhe hua janë të bllokuara në Kuvend. Janë, gjithashtu, shumë ligje që duhet të kalojnë. Pra, populli i Kosovës po humb nga mungesa e një kuvendi dhe qeverie të plotë”, ka deklaruar diplomati britanik.