Ani pse kanë marrë vaksinën anti-COVID dhe posedojnë ‘pasaportën e imunizimit’, udhëtarëve në Aeroportin e Prishtinës, po vazhdohet t’u kërkohet si dokument edhe testi për coronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, për të udhëtuar.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se qytetarët duhet të marrin informacione lidhur me masat anti-COVID varësisht nga shtetet se ku duan të udhëtojnë.
“Qytetaret të cilët udhëtojnë nga Kosova për në vende të tjera, duhet të marrin informacione për shtetin ku do të udhëtojnë se çfarë masash aplikohen për të hyrë atje, dhe në këtë aspekt, ka burime të ndryshme informacioni, ndërsa ndihmohen edhe nga Ambasadat e Kosovës në shtete të tjera, varësisht se ku udhëtojnë. Shtete të ndryshme aplikojnë masa të ndryshme në raport COVID-19”, thuhet në përgjigjen zyrtare të MSH-së për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.
Në Ministrinë e Shëndetësisë bëjnë të ditur se masat që ndërmerr Qeveria e Kosovës kanë të bëjnë vetëm me personat që hyjnë në shtetin e Kosovës, jo edhe me ata që udhëtojnë jashtë vendit.
Lidhur me këtë temë, Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, Valentina Gara, e cila ka thënë se personave që udhëtojnë përmes këtij aeroporti, nuk u kërkohet testi për COVID-19 nëse nuk është i obligueshëm për udhëtim në shtetin të cilin duan të hyjnë kosovaret.
“Secili shtet i ka rregullat e veta. Ne nuk iu kërkojmë asgjë pa e kërku shteti ku udhëtojnë”, ka thënë Gara për Reporteri.net.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se libreza e vaksinimit për udhëtim vlen vetëm 2 javë pas marrjes së vaksinës dhe jo më herët.
Ndryshe, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja pozitive me coronavirus në baza ditore, Ministria e Shëndetësisë në krye me Arben Vitinë, kanë publikuar masat e reja anti-COVID të cilat hyjnë në fuqi ditën e premte.
Sipas masave të reja, të gjithë qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të Institutit kombëtar të shëndetësisë publike të Kosovës (IKSHPK), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit.
Nga kjo pikë përjashtohen: “3.1. Qytetarët të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; 3.2. Qytetarët të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; 3.3. Qytetarët të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; 3.4. Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë, si dhe familjarët e tyre; 3.5. Personat që kanë çertifikatë të vaksinimit të plotë kundër COVID-19; 3.6. Personi me një rezultat pozitiv të testit të antitrupave serologjik –IgG, të lëshuar më së shumti tridhjetë (30) ditë para arritjes. 3.7. Fëmijët nën moshën njëmbëdhjetë (11) vjeç”.