Nxënësit në Kosovë kanë mungesë të informacioneve për edukimin seksual. Kjo për shkak se në shkolla nuk mësohet kjo lëndë si dhe në familje diskutohet shumë pak. Me hartimin e teksteve të reja shkollore në bazë të kurrikulës e cila është në zbatim, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se edukata seksuale do të përfshihet që nga klasa e parë e deri në të 12-tën. Ndërkohë, profesorë e sociologë, thonë se Kosova është vonuar sa i përket mësimit të edukatës seksuale në shkolla.
Edukata seksuale në shkollat e Kosovës nuk ka pasur hapësirën e mjaftueshme për tu trajtuar dhe për të informuar nxënësit për të gjitha proceset e zhvillimit dhe shëndetit të tyre. Kjo temë, gjithashtu diskutohet shumë pak edhe në familje. Megjithatë, pritet që me fillimin e vitit shkollor 2019/2020, edukata seksuale të përfshihet që nga klasa e parë deri në të 12-tën, pasi kështu e parasheh edhe kurrikula, e cila është në zbatim. Fehmi Krasniqi, zyrtar për plan-programe në Ministrinë e Arsimit dhe koordinator për shkenca të natyrës, tha për Radio Kosovën se rezultatet për edukimin seksual janë hartuar dhe janë përfshirë në tri lëndë: Biologji, Edukatë Fizike dhe Shëndetësore si dhe në Edukatën Qytetare.
“Rezultatet e edukimit seksual janë të obligueshme të përfshihen në tekstet e reja. Tani jemi në fazën përfundimtare të rezultateve të recensentëve për libra për klasën 0, 1, 6 dhe 10. Tani në fund të muajit përfundon konkursi për librat e klasës së 2, 7 dhe 11, që do të thotë se për këto klasë nga shtatori do ti ketë këto libra me të gjitha rezultatet”, tha Krasniqi.
Krasniqi është i angazhuar si ekspert për hartimin e rezultateve dhe të udhëzuesve për edukim seksual nga UNFPA, që është organizatë e Kombeve të Bashkuara. Ai bëri të ditur se për këtë lëndë nuk ka nevojë të ketë mësimdhënës të veçantë, por do të trajnohen mësimdhënësit që janë duke dhënë mësim.
“Duhet trajnim i veçantë, sepse janë të njëjtit mësimdhënës, sidomos biologët janë të përgatitur për këtë çështje, por duhet një trajnim. Kemi në plan për realizimin e trajnimit i cili do të financohet nga UNFPA”, tha ai.
Sociologu, Leutrim Sahiti, tha për Radio Kosovën se në shkolla duhet patjetër të trajtohen temat që kanë të bëjnë me sjelljet devijante dhe edukimin seksual, në mënyrë që rinia të jetë e shëndoshë me zhvillim të duhur psiko-social. Ai tha se këto mund të përfshihen në një lëndë, duke shtuar se prania e sociologut dhe psikologut në shkolla duhet të jetë prezent.
“Mendoj që duhet të kemi instalim të rolit të psikologut dhe sociologut. Fëmijët duhet të marrin njohuri për të pasur një jetë normale, një personalitet që do të jetë në funksion të zhvillimit të tyre, duke eliminuar çdo devijim nga normat shoqërore, të cilat i ka shteti jonë”, tha Sahiti.
Praktikat evropiane kanë treguar se përfshirja e lëndës së edukatës seksuale dhe shëndetësore në shkolla, ka treguar efikasitet dhe ndërgjegjësim tek të rinjtë, duke i ndihmuar ata të mos kenë implikime në aspektin shëndetësor fizik, social, e psikologjik./RTK/