Vetëm në muajin e parë të taksës, 10 milionë kilogramë grurë më pak kanë hyrë nga Serbia, krahasuar me të njëjtën periudhë në 5 vitet e fundit.
Dogana e Kosovës bërë të ditur se vetëm gjatë muajit të parë të implementimit të taksës, Kosova ka importuar nga Serbia rreth 120 milionë kilogram grurë, nga 130-140 milionë sa ka importuar për periudhën e njëjtë kohore viteve të fundit.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka bërë të ditur për KosovaPress, se deri në vendosjen e taksës, importimi i grurit ishte në të njëjtin trend me vitet e kaluara.
Stavileci: Vetëm në muajin e parë të taksës, 10 milionë kilogram grurë më pak nga Serbia
Edhe ky vit, deri kur është aplikuar masa mbrojtëse ka qenë me të njëjtin trend, por, prej nëntorit ky trend ka ra dhe tani kemi 120 milionë kilogram grurë të importuar. Në aspektin e origjinës, e kemi vërejtur se 90 përqind e këtij gruri është me origjinë nga Serbia, por pas aplikimit të masës, tani origjina ka filluar të ndryshojë, pra të vijë edhe prej vendeve tjera”, u shpreh ai.
Ndonëse është pranuar me një entuziazëm e patriotizëm të lartë nga qytetarët dhe bizneset vendore, taksa megjithatë ka peshën e vet për ekonomitë kosovare.
Efektet e saj më së shumti po i ndiejnë përpunuesit e grurit, të cilët pas vendosjes së kësaj tarife po detyrohen të gjejnë alternativa tjera nga të importojnë lëndën e parë. Kjo për faktin se edhe ashtu, gruri vendor po mungon përkundër tokave të pëlleshme bujqësore, ndërkohë që ka shënuar rritje për 10 cent edhe çmimi i bukës dhe pjekurinave të tjera.
Kështu, menaxheri i kompanisë “Thes Ari”, Bashkim Zenjullahu thotë se taksa 100 përqind sado e nevojshme, kishte ardhur në moment të papritur. Ai thotë se pikërisht në periudhën kur kishim filluar të stabilizoheshin me rritjen e taksës prej 10 përqind, u përballen me taksën prej 100 përqind.
Njëherësh, ai ka treguar për KosovaPress efektet e taksës për përpunuesit e grurit.
Zenjullahu: Taksa ka ndikuar negativisht në ngritjen e çmimit
Taksa tek ne përpunuesit e grurit ka ndikuar negativisht në aspektin e ngritjes së çmimit dhe konkurrencës jolojale, nuk jemi të barabartë të përballemi me konkurrencën përreth siç është Maqedonia dhe Shqipëria. E dimë që të dy vendet nuk janë prodhues të grurit, janë vetëm përpunues dhe kemi konkurrencë të drejtpërdrejtë tash prej dy shteteve, prej Maqedonisë sidomos, kemi një konkurrencë të drejtpërdrejtë dhe ne përpunuesit e grurit në Kosovë nuk mund të përballojmë këtë”, tha ai.
Zenjullahu, njëherësh kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, thotë se përpunuesit e grurit tashmë kanë drejtuar sytë drejt vendeve tjera, ndonëse Serbia është shteti më i afërt prej nga e kanë marrë grurin.
Ai shpreh shqetësimin e bizneseve vendore të cilat këtë lëndë të parë e kishin marrë deri më tash nga Serbia, se po detyrohen të marrin grurin nga Maqedonia dhe Shqipëria, duke e ditur se të dyja këto vende e importojnë atë nga Serbia.
Zenjullahu: Kemi gjetur kanale të tjera të furnizimit me grurë
“Kemi gjetur kanale të furnizimit si prej Hungarisë, Bullgarisë, janë t’u importu sasi të konsiderueshme të grurit dhe mendoj se nuk do të shfaqet ndonjë problem i brendshëm. Mund të ketë ndoshta ndikim në çmim, por jo se do të ketë mosfurnizim”, u shpreh ai.
Ndërsa, Bashkim Malushaj nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), thënë se krahas frymës pozitive që ka sjellë taksa tek bizneset vendore, në përqendrimin e tyre në prodhim, është dashur që Qeveria paraprakisht të bëjë një plan për strategjinë e të mbjellurave.
Sipas tij, falë entuziazmit të prodhuesve, taksa 100 përqind ndaj produkteve të importuara nga Serbia është përballuar më lehtë.
Malushaj: Qeveria është dashur që të ketë paraprakisht një plan
“Me u pas përgatit më mirë me përgatitë terrenin që të mos ndikojë në treg, në çmimin e bukës, në çmimin e grurit. Besoj që kemi kaluar mirë, duke falënderuar entuziazmin e qytetarëve, entuziazmin e vet prodhuesve, vet tregtarëve. E kanë përballuar më lehtë se sa që ndoshta kish shkaktuar ky vendim”, ka thënë ai.
KosovaPress ka bashkëbiseduar edhe me furrtarë vendorë, të cilët pas implementimit të taksës kanë ngritur çmimin e bukës prej 30 cent sa ishte, në 40 cent. Ata për arsye të ndryshme nuk kanë dashur të flasin për këtë temë para kamerës, porse megjithatë kanë dhënë opinionet e tyre për taksën.
Furrtarët kosovarë vlerësojnë se ngritja e çmimeve të pjekurinave nuk ka ardhur në përgjithësi për shkak të mungesës së grurit vendor në përgjithësi, teksa vendosjes së taksës i kishte ardhur momenti, pa pasur implikim direkt në ngritjen e çmimit të produkteve të furrës.
Përgjithësisht, bukëpjekësit shprehen të shqetësuar se nuk ka fitim të madh nga puna e tyre dhe për këtë sipas tyre, ka pasuar edhe ngritja e çmimit të pjekurinave, në mënyrë që këta të fundit të mos kenë humbje.
Ndryshe, taksa 100 përqind ka pasur efektin e vet në rënien e importit të të produkteve nga Serbia për 20 milionë euro.