Ismail Syla, kryesues i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, ka njoftuar se ditë më parë ky Fondacion u ka dërguar një kërkesë zyrtare Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu ku kanë kërkuar nga ata rritjen e përkrahjes financiare për mbrojtjen juridike të Presidentit Thaçi.
Në këtë letër, Bordi i Fondacionit thekson se kufizimet e vendosura në shpenzimet për mbrojtjen juridike, të cilat janë përcaktuara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2024, kanë vënë ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi në një situatë të pamundur për të përmbushur detyrimet e tij sepse në mungesë të fondeve një nga avokatët kryesorë është larguar si dhe avokati aktual i angazhuar ka paralajmëruar se mund të largohet deri në fund të muajit. E nëse kjo ndodh, procesi gjyqësor mund të shtyhet për së paku gjashtë muaj, deri sa të gjendet një avokat i ri që të njihet me rastin.
“Në këtë mënyrë kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizmin e ekipit mbrojtës të z.Thaçi por do ta pezullonte apo shtyente vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për tu njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjecare që është duke u zhvilluar”, theksohet në kërkesë.
Për këtë arsye, Fondacioni vlerëson se është urgjente dhe e domosdoshme ndarja e fondeve shtesë për të siguruar mbrojtjen efektive të Thaçit në procesin gjyqësor ndaj tij, pasi që edhe pse fondacioni është krijuar për të ofruar mbështetje alternative financiare dhe për të lehtësuar barrën mbi buxhetin publik, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme që do ta bënin të panevojshme këtë kërkesë.
“Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij. Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Fondacionit.
Po ashtu, Fondacioni beson se mbështetja financiare nga institucionet e Republikës së Kosovës është thelbësore për të siguruar qasjen efektive në drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e luftës së UÇK-së dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri.
“Për fund, përvec arsyeve të lartëshënuara, Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instancë të fundit i shërben vetëm drejtësisë respektivisht mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UCK-së përballë tendencave për të vendosur paralele midis aktivitetit çlirimtar të kësaj organizate dhe krimeve të pashembullta të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Serbisë para dhe vecanërisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë”, theksohet në fund të kërkesës. /teve1.info/