Njësoj sikurse emërimi në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i papritur dhe i shpejtë për Ekrem Mustafën ka rezultuar edhe largimi i tij nga kjo pozitë.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme është shprehur i penduar për periudhën e tij 18-mujore në udhëheqje të MPB-së.
Mustafa, i cili e mbajti postin e kreut të MPB-së për 18 muaj nën qeverisjen e Ramush Haradinajt, tha se nuk do të merret më kurrë me politikë edhe në rast i ofrohet pozita e shefit të shtetit.
“Unë e kam ndërprerë tërë angazhimin tim politik në momentin që e kam dorëzuar detyrën tek Agim Veliu dhe kurrë më s’merrem me politikë. Edhe nëse më ofrojnë pozitën e presidentit, nuk pranoj më të merrem me politikë. Unë e kam profesionin tim si mjek. I kam tri biznese në Prishtinë dhe Ferizaj”, tha Mustafa për Paparacin.