Asambleja Komunale e Gjilanit, në seancën e të enjtes në ditën e fundit të janarit, me shumicë votash ka miratuar rekomandimet që katër personalitete nga fusha e futbollit Ekrem Rukovci, Shemsedin Abazi, Shukri Sylejmani dhe Selami Osmani, t’i shpall “Nderi i qytetit”.
Ekrem Rukovci (mbiemri Beqiri sa ishte futbollist), lojtar i njohur gjilanas, ishte shquar si mesfushor e teknik i jashtëzakonshëm. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin gjilanas, kurse loja e tij ende mbahet në mend nga gjeneratat e vjetra dhe të mesme të futbolldashësve gjilanas. Familja Rukovci (Beqiri), ka dhënë futbollist të shkëlqyeshëm, ngase pos Ekremit, futbollistë të shquar ishin edhe Beqir dhe Orhan Rukovci (Beqiri).
Një futbollist tjetër që ka marrë këtë epitet ishte edhe golashënuesi më i mirë në Kosovë gjatë viteve të tetëdhjeta, Shemsedin Abazi – Shema, i cili ishte emër i njohur në futbollin kosovar dhe në ish-Jugosllavi. Ai njihej me shpejtësinë e tij si lojtar krahu dhe ishte një golashënues i spikatur, i cili gjithmonë kishte zgjidhje para portave kundërshtare.
Gjilani ka nderuar edhe dy donatorët më të mëdhenj të sportit gjilanas, Shukri Sylejmanin – Shuka dhe Selami Osmanin – Bezi, i cili vite më parë kishte ndërruar jetë.
Shukri Sylejmani dhe Selami Osmani, që të dy kryetarë të dy klubeve gjilanase Gjilani dhe Drita, ishin vënë në krye të dy klubeve në kohët më të vështira gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe aktivitetin e tyre e kishin zhvilluar edhe pas arritjes së lirisë. Rrita e dy klubeve gjilanase, pa dyshim se është meritë edhe e këtyre dy personaliteteve të shquara, të cilët nuk kursyen asgjë nga vetja për futbollin. Kryendeshja ndërmjet Dritës dhe Gjilanit është më e madhja në Kosovë dhe gjithsesi se Shuka e Bezi kanë merita të veçanta për këtë./kryelajmi.com/.