Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, shumë shpejt pritet të ulet në bankën e të akuzuarve, lidhur me akuzën se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016 gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, i njëjti ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 3 shkurt 2017.
Ndryshe, këtë të enjte ishte e paraparë që të mbahej seanca fillestare ndaj Konjufcës, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë.
Sipas gjykatëses së rastit, Edita Çanta, i akuzuari e ka njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimeve në punët e tij, nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me kryetarin Konjufca, por i njëjti nuk është përgjigjur.