Arbër Prekazi pritet të transferohet te SC Gjilani gjatë afatit kalimtar veror.
Qendërmbrojtësi i njohur kosovar është dëshira e madhe e trajnerit të Gjilanit, Ismet Munishi për repartin defensivë.
Por problemi ka qenë se Prekazi ka kontratë me Ballkanin dhe nuk ka arritur të largohet si futbollist i lirë.
Edhe dëshira e mbrojtësit ka qenë të luaj për Gjilanin dhe duket se ka një marrëveshje mes palëve.
Burime të Gazetës Olle brenda klubit të Ballkanit kanë thënë se drejtuesit e klubit nga Suhareka kanë pasur takime me ata të Gjilanit për mbrojtësin qendror.
Gjilanasit duket se janë pajtuar që të paguajnë një shumë në drejtim të Ballkanit për ta marrë në radhët e veta mbrojtësin me përvojë të gjatë në futbollin kosovar.
Prekazi pritet të jetë një përforcim i madh për skuadrën gjilanase që ka çaluar në repartin defensivë.
Marrëveshja mes palëve është arritur, derisa kjo javë pritet të jetë java e zyrtarizimit të Prekazit te Gjilani.
Kujtojmë që Prekazi vitin e kaluar e kishte veshur fanellën e Gjilanit, por vetëm për ndeshjet në garat evropiane. /Gazeta Olle/