Komuna e Gjilanit ka paraparë rregullimin e “rrugës së Kumanovës” në Gjilan, por për rregullimin e rrugës duhet që Komuna të bie në ujdi më Shoqatën e gjahtarëve “Agim Ramadani” që ka në pronësi parcelën ku është paraparë ndërtimi i një rrethrrotullimi.
Burimet tona bëjnë të ditur se vendimi i cili është shkruar në letër por që ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Kuvendi Komunal i Gjilanit parasheh që Komuna të këmbej pronën aktuale të Shoqatës së Gjahtarëve me një lokal afarist me 204 m2 në Gjilan, me pjesën e dy parcelave 02091-0 që ka 34788 m2 dhe 02092-0 që ka 401660 m2, të dy parcelat kullosë e klasit 3, në pronësi të Kuvendit Komunal të Gjilanit.
Pra, në këmbim të një rrethrrotullimi në Gjilan prona publike në Zhegër zvogëlohet për disa hektarë. Apo, sa për krahasim, hapësira që kan keto dy parcela, është pak më e vogël se hapësira që përdoret për banim e të gjitha shtepive në Zhegër.
Duke e ditur se Zhegra pretendon që në një të ardhme të afërt të bëhet komunë, zvogëlimi i pronës publike do të ishte hendikep i madh që në fillim të krijimit të komunës së re.
Ky propozim parashihet të hidhet për votim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal në Gjilan. Zhegra.info do ju njoftoj se si kan votuar përfaqësuesit e KK në Gjilan, përfshirë edhe këshilltarët nga Zhegra.