Ngjarje shumë dramatike kanë ndodhur te Gjilani gjatë javës që lëmë pas, ndërkohë ka qenë kryetrajneri Sadat Pajaziti pas fitores së fundit ndaj Drenicës ka konfirmuar zhvillimet e fundit.
Kuqebardhët kanë suspenduar katër futbollistët e huaj, Mauricio Marinho-n, Jefferson Lopez-in, Wilber Perez-in dhe Trevin Caesar.
Gazetasheshi.com merr vesh ekskluzivisht se ky vendim i drejtuesve të klubit ka ardhur pas refuzimit të katër futbollistëve latino-amerikanë për tu paraqitur në duelin miqësorë të së mërkurës, të cilin Gjilanin e zhvilloi ndaj Republikës së Çamërisë.
Katër futbollistët kishin refuzuar të luajnë në këtë miqësore si shenjë revolte për dënimin prej 30% heqje rroge nga muaji i kaluara, vendim ky të cilin drejtuesit e klubit e kishin marrë pas rezultateve të dobëta të regjistruara në muajin tetor.
Futbollistëve nga Amerika Latine u është kumtuar lajmi se ata janë suspenduar nga klubi ditën e shtunë, ndërkohë ata ishin të pranishëm për të parë ndeshjen e së dieles ndaj Drenicës.
Gazetasheshi.com ka kontaktuar me mesfushorin brazilian Jefferson Lopez, i cili ka thënë se ai është ende nën kontratë me klubin kuqebardh dhe do të vazhdojë ta rrespektojë atë, pavarësisht vendimeve të fundit që erdhën nga drejtuesit e klubit.
Pajaziti u dërgon mesazh të qartë futbollistëve: Askush nuk është mbi klubin
Kryetrajneri i skuadrës Sadat Pajaziti ka mbrojtur vendimin e drejtuesve të klubit duke thënë se askush nuk është mbi rregulloren e klubit.
“Gjilani si klub është mbi të gjithë, mbi lojtarët, mbi trajnerin dhe mbi secilin indivit. Klubi e ka rregulloren të cilën duhet ta rrespektojnë të gjithë dhe është bordi që vendos mbi lojtarët, unë nuk mund të ftojë futbollistë për të cilët bordi merr një vendim. U kam thënë futbollsitëve që nga dita e parë se ata e kanë për detyrë të bëjnë më të mirën e tyre në fushën e lojës, ndërkohë për gjërat tjera merren drejtuesit e klubit, pasi që nuk besoj se ka në Superligën e Kosovës drejtues më korrekt”, ka deklaruar Pajaziti.
Mbetet për tu parë nëse do të ketë një “prapaktheu” me futbollistët ameriko-latin, pasi që vendimi për tu hequr 30% të pagave është pezulluar nga drejtuesit e klubit pas fitores ndaj Drenicës.