Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mund të fotografohet me dronët “Bayraktar”. Në ajër nuk mund t’i ngrit pa lejen e KFOR-it. Këtë e kanë konfirmuar nga KFOR-i në një përgjigje për Paparacin. Ky mision ushtarak i NATO-s nuk e ka në plan ta bëjë një gjë të tillë.
Sipas KFOR-it hapësira ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar nga një vend në vendin tjetër vetëm për fluturime komerciale, kanë thënë nga KFOR-i për Paparacin.
Për Paparacin, nga KFOR-i tutje kanë thënë se hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret vetëm për nevoja specifike dhe me autorizim të tyre.
Misioni i NATO-s në Kosovë thekson se bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, hapësira ajrore e Kosovës është autoritet parësor i komandantit të KFOR-it.
“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin me fluturime komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it”.
Tutje, në përgjigjen e tyre për Paparacin, KFOR tha se pret nga institucionet e Kosovës që të respektojnë procedurat ekzistuese për përdorimin e dronëve.
“Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese. KFOR-i vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të tyre fillestar, duke përfshirë operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”.
Arma që ia vështirësoi jetën Vladimir Putinit, është tashmë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Dronët inteligjentë, sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore, kanë arritur në Kosovë nga vendi prodhues i dronëve dhe gjithë sistemit përcjellës, Turqia, pas gati 7 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me kompaninë prodhuese. Ujdia ishte firmosur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.