Sulmuesi i klubit futbollistik Llapi, Mirlind Daku mund të largohet nga klubi i Tahir Batatinës gjatë afatit kalimtar të verës.
Burime të ‘GazetaBlic’ mësojnë se për Mirlind Dakun ka shprehur interesim Hajduk Split, por jo vetëm.
Daku ka oferta nga Hajduk Split, Bundesliga 2 dhe disa klube të Kosovës, mirëpo momentalisht lojtari ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.
Mirlind Daku ka shkëlqyer me fanellën e Llapit këtë edicion, ku edhe ishte golashënuesi më i mirë me 21 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet, gjë që ka shtyer klubet e mëdha të interesohen për shërbimet e tij.
Ai ka 17 gola në kampionat dhe katër në Kupën e Kosovës, që në total ka realizuar 21 gola.
Kjo do të thotë që sulmuesit i ka takuar “Këpuca e Artë”, pasi ka qenë realizatori më i mirë në Kampionat dhe Kupë.
Vlen të theksohet se sulmuesi ka kontratë me Llapin edhe për stinorin e ardhshëm, mirëpo largimi i tij mund të bëhet nëse lojtari do të mendojë transferimin në një klub tjetër.
Daku me Llapin këtë edicion ka përfunduar në vendin e tretë me 54 pikë – 13 më pak se kampioni (Drita).