Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës ka filluar hetimet nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në projektin 15 milionësh për renovimin e stadiumit të qytetit të Gjilanit.
Me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit të publikuar të premten, është ndërprerë aktiviteti për renovimin e stadiumit, ndërsa Paparaci merr vesh se për projektin në fjalë hetime ka nisur Policia e Kosovës.
Saktësisht, në bazë të një dokumenti të siguruar nga Paparaci, Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka nisur hetimet për “Renovimit të Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”. Kjo fazë arrin shumën prej 15 milionë eurove.
Hetimet kanë nisur më 21 qershor të këtij viti, nën dyshimet për “Keqërdorim të detyrës zyrtare”.
“Njësia e Hetimeve Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit duke u bazuar në autorizimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë jemi duke zhvilluar hetime në lidhje me dyshimin se kemi të bëjmë me veprën “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, andaj kërkojmë nga ju që të na siguroni dosjet e kontratës së Renovimit të Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Paparaci.
Organi Shqyrtues i Prokurimit ka bërë të ditur se më 9 gusht ka anuluar tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit për shkak se i njëjti nuk është bërë në harmoni me nenin 59 të LPP-së.
“Paneli shqyrtues duke i pasur parasysh rekomandimet dhe sqarimet e dhëna nga eksperti shqyrtues deklaron se ekzaminimi vlerësimi i tenderit nuk është bërë në harmoni me nenin 59 të LPP-së andaj edhe AK duhet të anuloj aktivitetin e prokurimit dhe të njëjtin nëse ka interes ta ritenderoj”, thuhet në vendimin e panelit shqyrtues.
Në shtator të vitit të kaluar, ministri Hajrulla Çeku kishte nënshkruar një memorandum për stadiumin e qytetit të Gjilanit në vlerë prej 15 milionë eurove. Sipas zotimeve të ministrit Çeku, stadiumi i Gjilanit do të arrinte kategorinë e katërt të UEFA-s për stadiume.
Rinovimi i stadiumit të qytetit në Gjilan ka filluar nga viti 2017, derisa disa herë janë anuluar tenderat e shpallura.
Dokument: