Radio Star merr vesh se Mimoza Kadriu pritet të emërohet drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit. Kadriu, me profesion mësimdhënëse, do të marrë drejtimin e njërit prej dikastereve më të ndjeshme dhe me rëndësi të veçantë për qytetarët.
Drejtoria e Shëndetësisë përballet me sfida të vazhdueshme, si menaxhimi i shërbimeve shëndetësore, përmirësimi i kujdesit parësor dhe rritja e efikasitetit institucional. Mbetet të shihet se si Kadriu do ta menaxhojë këtë dikaster gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Mimoza Kadriu ka një përvojë të gjatë në politikën lokale. Ajo ka qenë asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe ka kaluar nga Nisma Socialdemokrate në Lëvizjen Vetëvendosje. Në zgjedhjet e fundit lokale, Kadriu ka fituar mandatin e saj të katërt si anëtare e Kuvendit Komunal.
Emërimi i saj në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim./Radio Star/

