Derbi më i madh në vendin tonë ndërmjet Dritës dhe Gjilanit nuk do të zhvillohet të dielen, ashtu siç ishte e paraparë. Shkak për këtë është bërë siguria, pasi që Policia e Kosovës nuk e ka pranuar kërkesën e FC Dritës për të siguruar ndeshjen për ditën e diel (17 shkurt), pasi që forcat e rendit janë të angazhuara në festën e përvjetorit të 11-të të Pavarësisë së Kosovë.
Derbi ndërmjet Dritës dhe Gjilanit pritet të zhvillohet ditën e shtunë, por ende nuk është konfirmuar.
Gazetasheshi.com tashmë ka kontaktuar me zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës për ndryshimin e ditës së ndeshjes, por që nuk e kanë konfirmuar ende informacionin, pasi që klubi vendas (FC Drita) nuk ka bërë ende kërkesë për ndërrim të datës së ndeshjes.
Njoftimin për zhvillimin e ndeshjes bardh e kaltërit duhet ta bëjnë më së largu këtë të enjte deri në ora 14:00.
Gjatë orëve në vijim pritet të përcaktohet definitivisht dita kur do të zhvillohet derbi numër 28-të i pasluftës në futbollin kosovar.