Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të shumë produkteve edhe në tregun e Kosovës. Kështu vlerësojnë ekspertët e ekonomisë të cilët thonë se rritja e çmimit të energjisë dhe derivateve të naftës reflekton në ngritje të çmimeve edhe të mallrave të tjera. Ndryshe trendi i rritjes së çmimeve, e në veçanti i naftës, ka nisur edhe më herët dhe sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, vetëm javën që shkoi çmimi për litër është rritur 4 centë.
Kriza në Ukrainë, do të ketë ndikim në shumë segmente të tregut. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën se nëse rritet çmimi i naftës, atëherë pritet të ketë ngritje të çmimeve edhe të disa produkteve të tjera bujqësore.
“Brenga më e madhe është se çfarë do të ndodhë me fatin e tregjeve financiare në botë, sepse kjo është një tronditje dhe vetëm të enjten patëm një rënie të kapitalit në këto bursa deri në 30 për qind. Është shqetësimi më i madhi që duhet të na brengosë. Ka banka kosovare komerciale që kanë kapitalin e investuar në fondet e ndryshme. Një pjesë e parave të Trustit Pensional është në këto fonde aktive dhe e tëra kjo është një brengë e madhe që duhet të mendohet se ku duhet të investohet dhe të kalkulojmë riskun, e në këtë drejtim të mos dëmtohet qytetari i Kosovës”, tha ai.
Muajve të fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur me çmime më të shtrenjta edhe të produkteve bazë, si: buka, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët, perimet e të tjera. Për një kategori të qytetarëve është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike dhe derivateve të naftës. Të premten ato shënuan rritje 4 centë për litër, thotë për Radio Kosovën kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
“Çmimin e përcakton berëza dhe organizata prodhuese OPEK. Shtytjen për rritje të çmimit e ka bërë situata në Ukrainë dhe nga kjo kemi rritje ekstreme të derivateve të naftës. Sot është rritur çmimi për 4 centë dhe pritet nga lëvizja e berëzës të ndryshojë. Aktualisht e kemi 60 dollarë, d.m.th kemi rritje ekstreme të derivateve: Dizel është 1 euro e 40 centë përderisa çmimi për benzinë është 1 euro e 42 centë”, tha ai.
Sipas tij, Kosova ka rezerva të naftës edhe për të paktën dy muajt e ardhshëm.
“Dy muaj as edhe një pikë karburanti të mos importohet në Kosovë, ka rezerva të mjaftueshme, kështu që qytetarët nuk kanë nevojë të krijojnë panik”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, përmes një postim në Facebook, ka shkruar për së paku gjashtë pasoja direkte që Kosova pëson nga kriza në Ukrainë, e që janë: Rritja e çmimit të naftës, çmimit të gazit, te energjisë elektrike, të drithërave, rritja e çmimit të aluminit dhe çelikut, dhe rrjedhimisht rritja e kostove në sektorin e ndërtimit dhe kostove të transportit.