Javën e kaluar, institucionet kanë paralajmëruar mundësinë e shtrëngimit të masave anti-Covid19, pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus.
E kundër ndryshimit të masave apo edhe mbylljes totale, kanë reaguar biznese të shumta të cilave pandemia iu ka shkaktuar mjaft shumë pasoja.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, në një prononcim për Periskopin ka thënë se mbyllja e dytë nuk duhet të jetë fare opsion në tavolinën e shqyrtimeve të qeverisë.
“Së pari, si duket kosovarët në shumicë janë tashmë të imunizuar nga Covid-19 dhe së dyti do të ishte e papërballueshme për ekonominë e Kosovës, por e papërballueshme edhe për xhepat e kosovarëve. Deri tash pandemia i ka lënë pa punë rreth 50 mijë qytetarë, ndërsa një mbyllje e dytë do ta dyfishonte këtë numër të papunëve”, ka thënë Abazi.
Ai ka thënë se aktualisht duhet të mendohet për heqjen totale të masave, ndërsa ka thënë se duhet të investohet më tepër në përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe një pako të re të përkrahjes ekonomike.