Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, ka thënë se Serbia është e interesuar për paqe, mirëpo jo anëtarësim të plotë në NATO.
Sipas Ibishit Serbia po e shfrytëzon Rusinë për tu furnizuar me armë, duke arritur buxhetin mbi 1 miliard këtë vit.
“Tash Serbia është në partneritet për paqe, por nuk është e interesuar të anëtarësohet plotësisht në NATO, ndërsa e shfrytëzon nga ana tjetër të gjitha këto pasi në një formë nuk do ta tipizojë armatimin pajisjet luftarake, kështu që armatoset nga Rusia, Bjellorusia, Kina dhe Turqia dhe me armë që realisht janë të prodhuesve Rusë. Në këtë formë ajo me gjithë këto pajisje e armatim e tejkalon edhe buxhetin e shumë vendeve në rajon. Ajo ka pasur mbi 1 miliard në vitin 2019 dhe të njëjtin buxhet e ka për vitin 2020″, ka thënë ai.
Ish-ushtaraku Ibishi foli edhe për kërcënimet që ka marrë Kosova nga Serbia, sa i përket një lufte të mundshme. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka heshtur sa i përket këtyre deklaratave kërcënuese.
Ibishi potencoi se ushtria e Kosovës duhet të armatoset sepse Serbia vazhdon të zhvillojë manovra në afërsi të kufirit.
“Ne nuk po shfrytëzojmë këto mundësi përmes miqve tanë, ata për një sulm nga ana e tyre në lokalitetet serbe ngritin çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit dhe ne nuk jemi në gjendje ta ngrinim çështjen e një kërcënimi të tillë në këshillin e sigurimit, por edhe në Komisionin Evropian. Bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë pasive në këtë rast të reagojë në këto deklarata kërcënuese”.
“Normal që duhet të armatoset ushtria e Kosovës sepse nuk është vetëm çështja e armatimit, por Vuçiq vazhdon të zhvillojë manovra në afërsi të kufirit të Kosovës ku fton edhe vëllazërinë sllave. Është fat i mirë që kemi KFOR-in këtu që mundëson një zhvillim të kapaciteteve të FSK-së deri në përfundimin dhjetë vjeçar, mirëpo duhet ana politike dhe aspekti funksional të FSK-së të jenë shumë më përpara edhe ndaj kërcënimeve që po vijnë nga Serbia që vazhdon të jetë kërcënues për Kosovën”, deklaroi Ibishi për EO.
Tutje, ai tha se Kosova nuk është ende në fazën e partneriteti për paqe edhe pse vendi ynë është forcë e armatosur.
“Krahasuar me kapacitetet dhe në këtë fazë të tranzicionit, normal që ende nuk jemi në fazën e partneritetit për paqe edhe pse jemi forcë e armatosur. Edhe politika edhe aspekti funksional duhet të jenë shumë më aktiv në këtë çështje sepse ne kemi mundësi të shkojmë edhe sa i përket armatimit edhe zhvillimit të kapaciteteve në kuptim të aftësimit të kuadrove dhe kërcënimeve reale që po vijnë nga Serbia”, ka thënë Ibishi.
Por ai nuk sheh ndonjë shqetësim pas këtyre kërcënimeve sepse thotë se kjo është vetëm një lojë e presidentit serb që është duke bërë ndaj Kosovës.
“Nuk shoh ndonjë shqetësim për arsye se Vuçiqi si ministër i informatave din ku të adresojë këtë dhe dinë kufirin deri ku mund të shkojë ky kërcënim. Ai e dërgon edhe kërcënimin ndaj Kosovës. Kjo është metodologji e tij që ai dinë të bëjë lojë dhe ne duhet të reagojmë. Poashtu edhe BE-ja dhe prezenca ndërkombëtare ushtarake këtu duhet të ngritim çështjen edhe në këshillin e sigurimit që të jemi vigjilent dhe të adresojmë çështjen sepse ai e di kufirin deri ku shkon dhe kthehet mbrapsht andaj nuk ka nevojë për shqetësim”, tha ai.