Elita 5 s’e mohon se arsyeja që nuk morën pjesë te Festa e Birrës ishte se kishin ‘frikë’ humbjen e koncerteve në Kosovë
Përveç artistëve nga Kosova që refuzuan ftesën nga Bashkia e Korçës për pjesëmarrje në Festën e Birrës, është edhe grupi nga Shkupi “Elita 5” ata të cilët kanë refuzuar të performojnë.
Ndonëse këngëtarët nga Kosova u shprehën se aryseja e mos-pjesëmarrjes ishte ftesa që iu bë artistit Goran Bregoviq, disa të tjerë kishin ‘frikën’ e humbjes së datave të koncerteve në Kosovë, nëse performonin përkrah artistit boshnjak me identitet serb!
Ditë më parë, nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Themeli në një intervistë tha se Elita 5 ishte planifikuar të ishte warm-up i Bregoviqit, por e anuluan përshkak se thanë humbasin tregun e punës në Kosovë.
Gazeta Online “Reporteri.net” ka kontaktuar grupin “Elita 5”, saktësisht vokalistin e grupit, Arif Ziberin, i cili nuk ka dashur që të komentojë shumë këtë deklaratë të nënkryetares.
“Ajo çështje na takon neve s’ka pse çdo gjë duhet të ndajmë me publikun”, tha fillimisht Virusi.
Reporteri.net insistoi sërish që të marrë një përgjigje rreth deklaratës konkrete, por që artisti i grupit “Elita 5” nuk mohoi e as pohoi një gjë të tillë.
“Nuk kam koment”, ishte përgjigjja e shkurtër e tij.
Theksojmë se Bashkia e Korçës, pavarësisht presionit të madh nga të gjitha anët nuk ka anuluar ftesën e Goran Bregoviqit, ndërsa për herë të parë pas kaq shumë vitesh të organizimit të Festës së Birrës, kësaj radhe qytetarët do duhet të paguajnë 8 euro për hyrje.