Elsa Kqiku, nxënëse e klasës së dhjetë në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan do t’a përfaqësojë Kosovën në Garat Botërore të Fizikës, që do të mbahen në Japoni.
Kjo nxënëse e shkëlqyeshme, ka dëshmuar se është më e mira në Kosovë falë punës së saj të palodhshme, kurse për të fjalë miradije kanë të gjithë mësimdhënësit, ngase ajo gjithëherë është e përgatitur për orët mësimore, jo vetëm në lëndën e fizkës, por edhe në të gjitha lëndët tjera.
Siç thekson Elsa, fillet motivuese për pjesëmarrjen e saj në këtë Garë kishin nisur qysh nga viti i kaluar me Pjesëmarrjen e saj në Olimpiadën e XXl të Fizikanëve të rinj (2020) të organizuar nga Shoqata Kosovare e Fizikës.
“Duke pasur parasysh se vitin e kaluar përfaqësova Kosovën në Garë Evropiane te Fizikës, e cila pretendohej te mbahej në Rumani, por për shkak te pandemisë kjo garë u mbajt Online. Megjithatë rezultatet e mia nuk u ndikuan nga kjo gjendje. Mora pjesë në Garë, duke dalë me rezultate edhe më të larta sesa pjesëtarët e klasës Xll”, thotë Elsa që ka shtua se që nga atëherë, ka vendosur që përsëri të merr pjesë në Vitin e ardhshëm. “Kështu, duke kaluar së pari nga Gara Komunale, vazhdova në Garë Republikane që do të mbahej më 28 shkurt të këtij viti. Më 02.03.2021 dolën rezultatet duke u shënuar përsëri Vendi 1 për klasat e X-ta. Si Vendi 1 nga gjenerata ime, do të jem përfaqësuese e Kosovës në Garat Botërore të Fizikës te cilat do të mbahen në Japoni.
Me punë të palodhshme dhe pretendime te mëdha, shpresoj të jap më të mirën time ne Garë Botërore të Fizikës, duke bërë krenare edhe më tutje personat që më kanë mbështetur gjerë më tani”, ka theksuar nxënësja e shkëlqyeshme Elsa Kqiku.
Për suksesin e arritur edhe drejtoria e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” e ka nderuar Elsën me një mirënjohje. Drejtori i Shkollës, Bekim Mustafa, ka theksuar se ky sukses i Elsës e ka bërë krenare shkollën tonë dhe se duke e ditur se çfarë punëtore është Elsa, nuk dyshojnë në suksesin e saj edhe në garat botërore.
Edhe Bukurije Sylejmani – Maksuti, mësimdhënëse e Fizikës, ka theksuar se Elsa është shumë e motivuar në lëndën e fizikës. Sipas saj, Elsa gjithnjë është e përgatitur për orë mësimore, duke treguar edhe njohuri shtesë, gjë e cila e bënë atë të veçantë.
Armend Limani, kujdestar i klasës X-4, në të cilën është nxënëse edhe Elsa Kqiku, ka theksuar se sukseset e Elsës dhe nxënësve të tjerë e bëjnë atë dhe mësimdhënësit tjerë krenarë. Suksesi i Elsës është motiv shtesë edhe për nxënësit tjerë.
Kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” i uron suksese Elsës në garat botërore.