Ndërtesa e dedikuar për Klinikën Emergjente shumë shpejtë do të shndërrohet në Klinikë për trajtimin e pacientëve me Covid-19, ka paralajmëruar ud i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
“Është një vendim i ministrisë së Shëndetësisë që ndërtesa e Klinikës Emergjente të adaptohet dhe të shfrytëzohet për pacientët me Covid. Këto procedura është duke i udhëhequr MSh-ja dhe janë duke u zhvilluar atje këto procedura. Nuk e dimë kur do ta kemi në dispozicion por pavarësisht kësaj ne kemi plane që për të gjithë pacientët që do të kenë nevojë për trajtim spitalor t’i pranojmë nëpër spitale”, tha Krasniqi për Ekonomiaonline.
Ai bëri të ditur se institucionet shëndetësore po përgatiten për rritje të rasteve me COVID-19 që do të kenë nevojë të shtrihen në spital
“Ne kemi afro 900 shtretër që mund të vejmë në dispozicion nëse paraqitet nevoja. Jemi duke punuar intensivisht edhe në projektet që tashmë janë hartuar, siç është shtrirja e oksigjenit qendror nëpër klinikat e caktuara në mënyrë që të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen të lëngshëm”, tha ai.
Sipas tij, pranimi i 1 500 specializantëve do ta ndihmojë shumë sistemin shëndetësor.