Gëzim Maloku bënë një jetë të vështirë. Çdo ditë që vjen, për të është më e vështirë se tjetra. Prej kohësh, ai jeton i vetëm, me 100 euro ndihmë invalidore nga shteti.
Gëzimi thotë se nuk është lehtë për të jetuar i vetëm dhe me një ndihmë invalidore në vlerë prej 100 euro, kur dihet mirëfilli se këto mjete nuk i mjaftojnë as për gjera elementare.
Por ja që jeta, siç thotë Gëzimi, është e llojllojshme dhe jo e lehtë për çdo kënd.
Megjithatë, Gëzimi nuk harron të falënderojë shumë miq të tij, të cilët herë pas here e ndihmojnë, me nga 5 apo 10 euro, por ajo që po e mundon vazhdimisht është se ushqimin ditor duhet rregullisht ta blejë e shpesh herë ndodh të mbetet me xhepa bosh.
“Shpesh mbetem pa para dhe nuk kam me çka të blejë bukë. Shumë herë të tjera nuk kam fare shije për ushqimet e blera jashtë. Gatimet e shtëpisë janë më të mira për mua, por ku t`i marrë unë ato”, thotë Gëzimi.
Ai ka edhe një brengë, meqë është dashamir i flaktë i sportit, përkatësisht futbollit, por nuk ka mundësi t`i shoh ndeshjet as në televizor, sepse nuk posedon program sportiv.
Në mungesë të kësaj, Gëzimi detyrohet të shkojë në ndonjë kafene për të përcjellë ndonjë nga ndeshjet e tij të preferuara.
Gëzimi që nga fëmijëria kishte nevojë për përkrahje e sidomos prej kur ka ngelur pa asnjërin prind dhe i vetëm duhet të ballafaqohet çdo ditë me peripecitë e jetës.
Gëzimi jeton në lagjen e Dardania në Gjilan, ku gëzon respektin dhe simpatinë e komunitetit. Veçmas është i dashur për fëmijët, me të cilët e kalon kohën më të madhe, duke ndarë drejtësinë në lojën e futbollit mes ekipeve të futbollistëve të lagjes, në fushën e shkollës “Selami Hallaçi’.
Që Gëzimi ta ndjejë jetën ashtu siç e ka emrin, duhet që dikush t`ia shtrijë dorën atij./Radio Star/