Shumica e banorëve të Luginës së Preshevës dëshirojnë që të bashkohen me Kosovën, mirëpo ka edhe prej tyre që janë konfuz për këtë iniciativë të presidentit Hashim Thaçi.
Banorët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, bashkimin e tyre me Kosovën e kishin shprehur edhe përmes referendumit të vitit 1992, ku përmes këtij referendumi dëshironin që këto tri komuna shqiptare ti bashkohen Kosovës, raporton lajmi.net.Këtë vit, presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka dhënë si ide korrigjimin e kufijve me Serbinë, kjo sipas tij nënkupton, bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Në lidhje me këtë ide të presidentit Thaçi, disa banorë të Luginës së Preshevës kanë thënë për lajmi.net se e përkrahin dhe e dëshirojnë bashkimin me Kosovën.Granit Bajrami nga Bujanoci, thotë se do të ishte mirë që të bashkohej mirëpo, me kusht që asnjë centimetër tokë të mos i jepet Serbisë, por vetëm Lugina t’i bashkohet Kosovës.“Po jemi mu bashkua me Kosove veç me kusht të padiskutushëm, pa e dhanë asnjë centimetër prej territorit të tashëm të Kosovës. Boll tokë kanë dhanë shqiptarët”, është shprehur Bajrami për lajmi.net.Vlora Ilazi nga Presheva, e cila është nënë, thotë se është në hall nëse e dëshirojnë bashkimin me Kosovën apo jo. Sipas saj arsyeja përse e thotë këtë është për shkak të kushteve që i ofron shteti serb, pavarësisht se papunësia në Preshevë është shumë e lartë.Ilazi thotë se tani që do të bëhet nënë për herë të tretë, shteti asaj i ofron shtesa për fëmijën e tretë, por edhe për të dy fëmijët e tjerë që i ka dhe kjo e bën atë mjaft konfuze në lidhje me këtë temë.“ Unë tani do të bëhem nënë për herë të tretë dhe shteti mi jep 150 euro në muaj për fëmijën e tretë. Plus për dy të tjerët i marrë nga 70-80 euro shtesa. Është e vërtetë që papunësia është e lartë në Preshevë, mirëpo duke i pas këto të ardhura po ia dalim disi. Tash edhe ne jemi në hall në lidhje më këtë temë dhe nuk është se nuk e duam bashkimin me Kosovën, por kemi rënë në hall se vështirë se në Kosovë na ofrojnë këto shtesa”, është shprehur ajo për lajmi.net.Se bashkimi i Luginës së Preshevës është një ëndërr e cila akoma nuk është realizuar, e thonë edhe qytetarët.Merita Hasani nga Bujanoci, thotë bashkimi i Luginës me Kosovën është një ëndërr që e kanë dashur paraardhësit e saj.“Është një ëndërr e parealizuar deri më tani, ku gjyshër e stërgjyshër kanë luftuar ta gëzojmë këtë bashkim. Pasi këta nuk arritën ta gëzojnë, shpresoj të jemi ne gjenerata e fundit që e përjetojmë ndarjen vëllazërore”, ka deklaruar ajo për lajmi.net.Ndërkaq Naim Sadiku e Isuf Hasani, thonë se bashkimi i Luginës së Preshevës më Kosovën as që duhet të diskutohet.Sipas tyre, kjo do të ishte shumë mirë për të gjithë shqiptarët.“Normal që duhet me u bashku Lugina me Kosovën”, ka thënë shkurt Saim Sadiku.Ndërkaq Isuf Hasani ka thënë se është në të mirë të Kosovës bashkimi me Luginën e Preshevës.“Po është mirë për shqiptarët, por është më mirë për Kosovën që të bashkohet me Luginën e Preshevës”, deklaroi Hasani për lajmi.net.Kujtojmë se kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë po kundërshtohet fuqishëm edhe nga spektri politik në vend.Ndërkaq, përfaqësuesit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës duan që të këto tre komuna shqiptare, pra Presheva, Bujanoci e Lugina t’i bashkohen Kosovës në tërësi por janë kundër që bashkimi i komunave shqiptare të bëhet në mënyrë parciale. /Lajmi.net/