Organizuar nga Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda” në Gjilan, në kuadër të “Flakës së Janarit 2024” janë mbajtur një sërë aktivitetesh, ku pas garës në zgjidhjen e enigmave është mbajtur një tryezë, ku është debatuar për enigmatikën dhe të arriturat e saja në kohë, (enigmatika, dje, sot dhe nesër) si dhe është bërë promovimi dhe shpërndarja falas e revistës “Horizonti”, numër 132, botuar enkas për ketë manifestim dhe është promovuar libri “Rrokjekryqe 5×5 dhe 6×6”, të Zijadin Hasanit.
Fillimisht, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan e ka vlerësuar lartë këtë aktivitet, duke thënë se i ka dhënë hijeshi “Flakës së Janarit” dhe se ka shumë njerëz që e kanë vlerësuar lartë këtë aktivitet, ngase e ka pasuruar “Flakën e Janarit” dhe se do të vazhdohet edhe në të ardhmen, andaj ai për këtë e ka falënderuar Shoqatën e Enigmatëve “Ndre Mjeda”.
Shemsedin Kryeziu, kryetar i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda” në Gjilan, ka thënë se “Horizonti” e ka vazhduar rrugëtimin e vet tradicional dhe se në vazhdën e tij ka përfaqësuar enigmatikën kosovare kudo nëpër botë e për këto të arritura “Horizontti” dhe SHE “Ndre Mjeda” janë nderuar me një pikturë dhuratë nga Shoqata e Enigmatëve të Mitrovicës, sikurse edhe dr.Zijadin Hasani, në datëlindjen e tij.
Pikërisht, dr. Zijadin Hasani, ka folur për revistën “Horizonti” që prej numrit të tij të parë në vitin 1981 e deri më sot, duke thënë se në fillim doli me 2000 ekzemplarë, por që pati një rritë të shpejtë kur arriti deri në 20 mijë ekzemplarë për një numër. Ai tha se vetëm para lufte kanë nxjerrë 130 numra dhe pas lufte edhe tre numra të tjerë.
“Horizonti” ishte një shkollë për enigmatët e vjetër dhe ata të rinjtë, në të cilin punimet e tyre ia kanë dërguar nga të gjitha qytetet, kurse tashti është futur edhe në programin e “Flakës së Janarit”.
Sabit Rrustemi, poet e kritik letrar, ka folur për librin e dr. Zijadin Hasanit, “Rrokjekryqe magjike 5X5 dhe 6X6”, duke thënë se që në fillim të “Flakës së Janarit” shumë nga enigmatët ishin në radhën e nismëtarëve dhe se e kanë pasuruar “Flakën e Janarit”. Tashti, tha Rrustemi, është krijuar një mundësi e re, kurse për librin tha se është botim i Shoqatës së Enigmatëve “Ndre Mjeda”, botim ky shumë i veçantë dhe i rrallë nga kjo fushë. Sipas Rrustemit, enigmatika e i ka rrënjët që në lashtësi, ka traditë edhe tek shqiptarët, kurse libri më i ri i dr. Zijadin Hasaniti përqendrohet te zgjidhjet më të vështira dhe do të ndikojë te të gjithë ata që do t’a kenë në dorë që të testojnë aftësitë, ngase me katrorët 5X5 dhe 6X6 rritet dituria dhe njohja për gjuhën shqipe, tha Rrustemi, duke uruar autorin për librin e katërt të tij.
Ekrem Krasniqi, njohës i enigmatikës, tha se enigmatika është aspekt i edukimit, i leximit dhe argëtimit. Në fjalën e tij ai është përqendruar tek sfidat për botimin e revistave enigmatike duke përmendur disa nga to si: përhapjen e mediave digjitale dhe kulturën e leximit, sfidat tekstuale, sfidën e tregut, ndryshimin e stilit të jetesës, mungesën e marketingut, mungesën e gazetave ditore, koston e botimit dhe sifida të tjera, andaj ai ka nxjerrë disa rekomandime si: takimet më të shpeshta të enigmatëve, konsolidimin e Federatës, nxjerrjen e një enciklopedie të enigmatëve shqiptarë, botimin e literaturës, numrin më të madh të garave, partneritet me bizneset, trajtime e seminare, përafrimin e rinisë, krijimin e një platforme digjitale dhe për një përkrahje më të madhe institucionale nga nivelet lokale dhe ato qendrore.
Muhamet Halili, anëtar i Shoqatës “Ndre Mjeda” dhe gazetar, ka folur për historikun e enigmatikës, që prej kohës kur kishte hapëruar në gazetari, sikurse që më tepër është fokusuar në futjen e garave në enigmatikë edhe nëpër shkolla, ngase siç ka gjetur ai, enigmatika luan një rol të veçantë në shëndetin mendor, ajo parandalon plakjen dhe denencën, andaj edhe ka kërkuar që shoqata të fokusohet më shumë kah shkollat, ngase atje është brumi i enigmatëve të rinj. Halili kërkoi që të punohet edhe me mësimdhënës, në gjetjen e aktiviteteve dhe se enigmatika duhet të futet edhe në formën e shpjegimit dhe të pyetësorit nëpër shkolla, derisa sa i përket teknologjisë informative dhe rolit të saj në enigmatikë, tha se ajo duhet të shihet si partnere e jo si kundërshtare.
Xhelal Selmani, enigmat, më tepër është fokusuar në historikun e Revistës “Horizontit” që hapi dyert për enigmatë anekënd Kosovës, sikurse që u ndal edhe që ngjalli debat rreth mënyrës së zgjidhjeve të enigmave në Kosovë, Shqipëri e vende të tjera, debat në të cilin është kyqyr edhe enigmati gjakovar Skender Tullumi, që ka folur për përvojat nga Shqipëria, Kroacia e vende të tjera, duke dhënë shembuj konkret, sidomos te tingujt që kanë nga dy shkronja. Në debat ka folur edhe muzikologu Izet Kallaba, i cili më tepër ka kërkuar që të fokusohemi tek gjeneratat e reja, ngjashëm është shprehur edhe Sadri Osmani nga Maqedonia e Veriut dhe debutues të tjerë.
“Flaka e Janarit” vazhdon me shfaqjen e fundit në kuadër të “Talia e Flakës”.