Vrasja e tre personave në Gjilan, gjatë ditës së sotme, nga një i dyshuar që vitin e kaluar ishte arrestuar për fajde, tregon për një nivel të lartë të kalbjes së sistemit gjyqësor në këtë rajon, e me gjasë edhe më gjerë.
Kur drejtësia nuk e kryen punën, kur gjykatësit, prokurorët e hetuesit mbyllin sytë, nuk zbatojnë ligjin, madje disa prej tyre dyshohen se janë bërë pjesë e aktiviteteve të paligjshme, atëherë rezultati është ky: tre të vdekur. Një masakër në një ditë gushti.
Kjo është një ditë e zezë jo vetëm për Gjilanin, por edhe për tërë rajonin e Anamoravës. Shpresoj që mediat nacionale në Kosovë të gjejnë resurse profesionale për të hulumtuar dhe për të nxjerrë në dritë sfondin e këtij krimi. Mediat ndoshta edhe arrijnë të ndriçojnë shumë anë të errëta të krimit, por në fund asgjë nuk do të ndryshojë nëse përgjegjësit për dështimin e drejtësisë shpëtojnë pa therë në këmbë – siç kanë shpëtuar deri më sot.
Pa u çmontuar rrjeti i keqbërësve në trekëndëshin parapolitik prokurori-gjykatë-hetuesi, kriminelët nuk kanë arsye të shqetësohen. Ata do të vazhdojnë të kryejnë krime, ndërsa shoqëria, pas tronditjes disaditëshe, i kthehet “normalitetit”. Në këtë “normalitet” bën pjesë edhe kërdia e fajdexhinjve.