Gazetaria sportive në Gjilan ka sot një emër që spikat me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet, Enver Sadiku, gazetarë me 26 vite përvojë, nga numri i parë i gazetës “Zëri” e tash e një dekadë edhe te gazeta online kryelajmi.com. Me këtë karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme në raportimin sportiv, Sadiku është zgjedhur gazetari më i mirë sportiv në Gjilan për vitin 2025, një vlerësim që vjen si rezultat i punës së tij të palodhur dhe kontributit të vazhdueshëm në informimin korrekt të opinionit sportiv.
Përmes analizave të thelluara, raportimeve të sakta nga terreni dhe shkrimeve me standarde të larta profesionale, Enver Sadiku ka qenë për vite me radhë zë i besueshëm i sportit gjilanas. Ai ka përcjellë me përkushtim zhvillimet e klubeve lokale, duke ruajtur gjithmonë objektivitetin dhe etikën gazetare.
Ky çmim nuk është vetëm një mirënjohje personale, por edhe një vlerësim për gazetarinë sportive cilësore në Gjilan. Me pasionin e tij për sportin dhe fjalën e shkruar, Enver Sadiku vazhdon të jetë shembull për gjeneratat e reja të gazetarëve dhe një kontribuues i rëndësishëm në jetën sportive dhe mediatike të qytetit.
Në ceremoninë e marrjes së mirënjohjes, gazetari Enver Sadiku me një fjali të shkurtër tregoi modestinë e tij, duke theksuar se “kjo mirënjohje shkon për të gjithë kolegët e tij dhe se ai është vetëm njëri prej tyre”.
Zgjedhja e tij si gazetari më i mirë sportiv konfirmon reputacionin e ndërtuar me vite dhe e forcon më tej rolin e tij si një nga figurat më të respektuara të gazetarisë sportive lokale.
Ndryshe, Enver Sadiku shumë shpejt pritet të dalë me monografinë “Derbi Drita – Gjilani (1995 – 2025)”, libër në të cilin ai ka paraqitur të gjitha kryendeshjet e zjarrta të derbit më të madh në Kosovë./RadioStar/.









