Erërat e fuqishme rrëzojnë kulmin e një biznesi në Gjilan, pronari i zhgënjyer me institucionet
Gjilan, 30 gusht 2025 – Erërat e fuqishme që përfshinë qytetin e Gjilanit pasditen e së shtunës rreth orës 16:30, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në një biznes privat. Bëhet fjalë për biznesin “MONDI ELD”, i cili ndodhet në rrugën Bujanoc – Shillovë, ku era e fortë ka rrëzuar të gjithë kulmin e objektit, duke rrezikuar seriozisht edhe klientët që ndodheshin aty pranë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të konsiderueshme: kulmi i hedhur tutje, dëmtim të mureve anësore dhe rrezik të madh për kalimtarët dhe makinat e parkuara afër. Fatmirësisht nuk është raportuar për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha.
Pronari i biznesit Ymer Halimi deklaroi se menjëherë pas incidentit ka kontaktuar numërin emergjent 112, si dhe ka njoftuar policinë, zjarrfikësit dhe Drejtorinë e Fatkeqësive Natyrore, por asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka dalë në vendngjarje.
“Erërat më hoqën kulmin e objektit, rrezikuan klientët dhe më shkaktuan dëme materiale të mëdha. Lajmëruam institucionet përgjegjëse, por askush nuk reagoi. Shtrohet pyetja: çfarë po i paguajmë taksat komunale nëse në momente të tilla emergjente nuk kemi asnjë shërbim civil?”, – u shpreh i zhgënjyer pronari.
Kjo situatë ka hapur sërish debatin mbi përgjegjësinë e institucioneve lokale dhe qendrore për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, si dhe gatishmërinë e shërbimeve emergjente për t’u përgjigjur në kohë reale ndaj rasteve të tilla.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe mbështetje konkrete nga organet kompetente, jo vetëm në raste emergjente, por edhe për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.