Thonë, fëmijët janë pjesa më e dhimbshme e njeriut. Ata janë shpirti dhe zemra e prindërve. Janë e ardhmja e njeriut. S’ka pasuri më të madhe se fëmijët. Fëmijët ta shtojnë dashurinë ndaj punës e jetës. Të bëjnë krenar në botë. Për fëmijë, njerëzit japin jetën. Pra, fëmijët janë pasuria më e madhe dhe më e dashur në jetë. Lumë kush ka fëmijë! Jo vetëm kaq. Shaban Foniqi, nga Karaçeva e Kamenicës, me banim në Francë, tash e nëntë vjet jeton me dhembje. Dhimbja e tij është e rëndë, sa nuk i hiqet dot nga mendja. I mungon Erioni i vogël 8-vjeçar. Tash e nëntë vjet i mungon Erion Foniqi, djaloshi e njomaku i tij. I mungon dhe, mungesa e tij akoma është prezente tek familjarët e tij dhe më gjerë. Pse jo?
Erioni ishte nxënës i shkollës fillore në fshatin në fjalë. Një ditë marsi (18 mars 2009), gjer sa ai kthehej nga shkolla, në rrugë i dalin një turmë qensh, të cilit trupin e tij ia shqyejnë dhe ia bëjnë copa-copa. Kjo datë ishte më 18 marsin e vitit 2009. Datë e dhimbshme dhe e paharruar. Pra, tash e 9 vjet më parë. Ai (Erion Foniqi) sapo kishte filluar t’i mësojë shkronjat shqipe. E nisi shkollimin me vullnet. Shkonte në shkollë dhe u kthente plot gaz jete. Por, akoma nuk kishte arritur ta bëjë ndonjë foto të fundvitit me shokët e klasës.
Tek Erioni vërehej një fëmijë komunikues dhe shumë i afërt me shokë. Ai rritej ngadalë dhe “piqej” nga prindërit që e donin shumë. E donin, sepse ishte fëmijë i dashur dhe i zgjuar. E donin pa masë, si nëna Elmazja, bijë e Nasalës, po ashtu e donte edhe babai Shabani, prindi i tij nga Karaçeva. Por, ja si ngjau me jetën e tij. Jetën ia morën qentë endacakë, të cilët i dolën në rrugë dhe e kafshuan për ta lënë të vdekur. Nuk ka dhimbje më të madhe se kjo tragjedi që i ngjau Erionit të vogël. Nuk ka dhe, nuk do të duhej të kishte më kësofarë tragjedish të dhimbshme. Kjo vdekje para kohe e tij, la dhimbje, trauma, lotë dhe kujtime të paharruara, të cilat dhembje po ndjehen edhe sot e përgjithmonë në familjen e tij.
E, prindërit e tij, nga ky rast tragjik dhe shumë i prekshëm, ikën në Francë nga frika se mos po ngjan edhe ndonjë “rast” i tillë edhe tek dy fëmijët e tjerë si viktima të qenëve endacakë të këtij lokaliteti.
Në atë ditë varrimi të Erionit, mori pjesë edhe autori i këtyre radhëve. Nga afër ka parë se si të afërmit dhe të tjerët qanin, vajtonin dhe s’pati njeri që nuk derdhi lotë. Ishin këta lotë e dhimbjes së madhe. Aty, në varrim erdhën me qindra e mijëra qytetarë nga mbarë Kosova.
Nga ky rast i rëndë, mezi dilnin fjalët ngushëlluese, sepse dhimbja e madhe dhe tragjike ua kishte mbyllur gojën. Tash fjalët heshtnin, lotët shkonin zvarr… Qytetarët afroheshin dhe nënshkruheshin para fytyrës së Erionit për t’ia dhënë lamtumirën e fundit duke u shprehur: “O zot, ruajna nga kjo e keqe”! Ju prindër, durojeni dhimbjen, se sot e keni më së rëndi. Zoti ju ndihmoftë!”
Dhe, sa herë vijnë prindërit e Erionit në vendlindje, Karaçevë, atyre nuk u ndalet loti. Nuk shkojnë në shtëpi pa u kthyer tek varri i djalit të tyre, Erionit, ku në pëllakën përkujtimore shkruhen këto fjalë:
”Çdo vit pranvera sjell lule, por te ne sjell kujtimin e asaj dite të zezë, kur vdekja të mori duke shkuar në shkollë. Humbja jote është plagë që nuk shërohet kurrë!”
Shaban Foniqi, prindi i Erionit, sot shton: “Sa herë vij në Kosovë, zemra më ligështohet dhe ndjehem shumë keq. Keq, për faktin se, nuk ka më vështirë se djali 8-vjeçar të mungojë. Sot Erioni im do t’i kishte 17-vjeç. Ai sot do të ishte një shkollar i mirë, këtë që e prisja qysh nga mosha e re e tij. Por, ja vdekjes s’mundet njeriu t’i dalë përpara. Ajo të merr dhe kur nuk e mendon se vjen. Është vdekje pa adresë. Por, kjo vdekje më ka “krijuar” shumë dhimbje trupi. Kjo është një vdekje tragjike dhe shumë e rëndë. Po më duket se nuk ka “ilaç” të më shërojë, por po mundohem çdo ditë këtë dhimbje ta lagoj nga vetja. O Zot! – nuk paska më rëndë se kjo që i ngjau djalit tim, i cili tash e 9-të vjet na mungon. E patëm të parin e jetës. E rritëm si dritën e syve, por …
Pas kësaj tragjedie, e mbyllëm shtëpinë dhe me dy fëmijëve tjerë ikën në botën e jashtme. Tani jetoj në Francë ku kam kërkuar azil, sepse nuk mundem të jetoj këtu, sepse akoma më janë dhembjet dhe traumat e kësaj “ngjarje” tragjike dhe fatale në familjen time. Por, edhe pas kësaj jete, unë, sa herë vij në përvjetorët e këtij rasti tragjik, nuk shkoj në shtëpi, por kthehem te varri i Erionit tim që mungon dhe “prehem” duke u shkri në vaj. Nuk paska më vështirë se ta përjetosh një tragjedi të tillë, e cila më ka shkaktuar dhembje dhe trauma jete. Por, njeriu qenka më i fortë se guri, jeta duhet të vazhdojë…