Sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka dhënë dorëheqje.
Lajmi konfirmohet nga FFK, përmes një njoftimi për medie.
Ai është emëruar drejtor për çështje sportive.
Njoftimi pa ndërhyrje i FFK-së
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot e mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, e ku diskutoi për shumë çështje në futbollin e Kosovës. KE fillimisht shqyrtoi përgatitjet për fillimin e Kampionatit të ri 2021/2022 dhe konstatoi se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë. KE shqyrtoi edhe ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se aftësimi i kuadrit dhe instalimi i VAR-it do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë me ndeshjet e Superligës. Me këtë rast KE falënderon ekipin e VAR-it për një angazhim të jashtëzakonshëm në mënyrë që sistemi i VAR-it të fillojë me kohë, e ku FFK-ja është e para në rajon që ka arritur me një kohë rekorde të instalojë këtë sistem që është tepër i dobishëm dhe ndihmesë e madhe për gjyqtarët e që kontribuon në mbarëvajtjen garave.
KE po ashtu miratoi vendimin që edhe në edicionin e ri 2021/2022, të drejtën televizive t’ia japë kompanisë “ArtMotion” për ndeshjet e Superligës dhe Ligës së Parë.
KE po diskuton për një marrëveshje për sponzorizimin e Superligës me BKT-në dhe për zhvillimin e Platformës digjitale për klube.
Po ashtu KE është në bisedime për sponsorizim të Ligës së Parë me VIVA-Fresh.
KE është afër arritjes së Marrëveshjes për sponsorizim edhe të Ligës së Femrave dhe të gjyqtarëve të futbollit me Bankën Ekonomike. Gjithashtu Kompania “Fit-together” do të sponsorizojë Kombëtaren A dhe Superligën me mjete që mundësojnë matjet vitale të parametrave gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve për futbollistë.
Me qëllim të zhvillimit më të mirë të futbollit, KE mori vendim për krijimin e Ligës U21.
Ndërkaq, me kërkesën e veçantë të Sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, KE e liroi nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm dhe e emëroi si drejtor për çështje sportive – Këshilltar senior Ligjor. Z. Salihu e falënderoi KE dhe presidentin Ademi, duke potencuar se ka shërbyer për 15 vjet si Sekretar i përgjithshëm dhe tash dëshiron t’i kthehet çështjeve profesionale sportive dhe ligjore. Duhet të theksohet se z. Salihu është anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe kryetar i Këshillit të Arbitrazhit Sportive në KOK-ut ku do të vazhdojë edhe më tutje.
KE shqyrtoi edhe Ankesat dhe Parashtresat drejtuar këtij organi.