Në kuadër të Çmimeve për më të Mirët e Vitit, të shpallura nga Komuna e Gjilanit, regjisori Erson Zymberi është vlerësuar me çmimin Regjisori i Vitit për regjinë e shfaqjes Djali.
Ky vlerësim i është dhënë për qasjen e tij të thellë artistike dhe regjisoriale, për trajtimin e ndjeshëm të temave komplekse familjare, si dhe për drejtimin e fuqishëm të aktorëve dhe ndërtimin e një gjuhe skenike bashkëkohore e të qëndrueshme.
Sipas arsyetimit të komisionit vlerësues, regjia e shfaqjes Djali ka krijuar një harmoni të plotë mes tekstit, skenografisë dhe ritmit dramatik, duke e shndërruar shfaqjen në një përvojë të fortë emocionale dhe artistike për publikun.
Me këtë çmim, Komuna e Gjilanit vlerëson jo vetëm suksesin e kësaj shfaqjeje, por edhe kontributin e vazhdueshëm të Erson Zymberit në zhvillimin dhe afirmimin e teatrit bashkëkohor në Gjilan dhe më gjerë.

