I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës paraqet zhvillimin historik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Siç shtoi ai, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në kushtet evropiane krijon një marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe të parashikueshme midis dy shteteve fqinje armiqësore, si dhe është një arritje e jashtëzakonshme.
“U nevojit shumë kurajo politike si nga presidenti (Aleksandar) Vuçiq ashtu edhe nga kryeministri (Albin) Kurti për të arritur atë marrëveshje”, shtoi Escobar për agjencinë malazeze të lajmeve MINA.
Ai tha se ajo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme.
“Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Borrell tha se (marrëveshja) është ligjore dhe ligjërisht e detyrueshme. Dhe të dy liderët e konfirmuan atë. Tani pyetja është se si të zbatohet plotësisht”, shtoi Escobar.
Ai deklaroi se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.
“Në Serbi janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave tjera. Dhe Kosova pritet të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Na vjen keq, kjo nuk është një pritshmëri. Është detyrim”, deklaroi Escobar, përcjell teve1.info.
Ai shtoi se SHBA dëshiron që këto procese të zhvillohen sa më shpejt.
“Nuk shoh asnjë arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, tha Escobar.