I dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para senatit ka deklaruar se as Amerika nuk e përkrah një Asociacion që e dëmton sovranitetin e Kosovës.
Escobar tha se kërkojnë një Asociacion për të cilën merren vesh Kosova dhe Serbia.
Emisari amerikan theksoi se Shtetet e Bashkuara po përpiqen që mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet një marrëveshje e përqendruar në njohje reciproke.
Escobar u shpreh se të dyja palët në këtë dialog si të barabarta duhet të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
“Nevoja për dialog, kompromis dhe reforma vlen për të gjithë rajonin. Ne e mbështesim fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha fillimisht diplomati amerikan.
Tutje, ai theksoi se marrëveshja gjithëpërfshirëse është diçka për të cilën të dyja vendet kanë nevojë për të ardhmen e tyre evropiane.
“Dialogu është një forum në të cilin të dyja palët, si të barabarta, duhet të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse – për të cilën te dyja vendet kanë nevojë për të ardhmen e tyre evropiane. Ne besojmë se kjo përpjekje duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, u shpreh Escobar.
“As ShBA-të nuk përkrahin një asociacion që dëmton sovranitetin e Kosovës, dhe unitaritetin e qeverisjes në vend. Por, ne kërkojmë të bëhet një asociacion për të cilën merren vesh Kosova e Serbia dhe i cili nuk bie ndesh me normat ligjore në Kosovë, prandaj është obligim i Kosovës të jap modelin e duhur për këtë asociacion.Po, prandaj po perpiqemi të arrijmë një marrëveshje të përqëndruar në njohje reciproke.”, deklaroi ai.
Në Komitetin e Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë, Escobar ka folur edhe për shtetet e tjera të rajonit dhe Ballkanit Perëndimor.