I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka tthënë se takimi i thirrur nga i dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak midis Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve, nuk pritet të ndodhë këtë javë.
Po ashtu, Escobar kundërshton propozimin e Kurtit, që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, palët të bien dakord paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij, para se Prishtina të paraqesë një projekt konkret.
“Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur.’, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo.”, tha ai./Reporteri.net