I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS.
Madje, ai në një intervistë për radiotelevizionin e Serbisë ka lënë të kuptohet se edhe ambasadorët e QUINT-it ja kanë kërkuar këtë gjë sot kryeministrit Albin Kurti në takim.
“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të QUINT-it dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit [Antony Blinken] për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
Escobar ka treguar edhe se çka do të ndodhë në këta dhjetë muaj, nëse Kosova pranon sërish që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave.
“Gjatë këtyre dhjetë muajve do t’iu kërkohet të bëjnë një fushatë informuese, të kryejnë më shumë konsultime me komunitetet që do të preken prej saj dhe të kenë më shumë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka biseduar në telefon me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, por nuk ka thënë nëse i është kërkuar një gjë e tillë.