I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve duhet të nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje [e arritur në Ohër] të bëhet realitet. Ky realitet bëhet me Asociacionin. Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë që të ecim përpara me këtë”, tha Escobar gjatë një konference për media, të mbajtur online.
Ai shtoi se puna për themelimin e Asociacionit ka nisur por se “duhet të shtyjmë
vazhdimisht përpara derisa të arrijmë një model”.
Escobar tha që pret të ketë një takim mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq brenda dy javëve “për ta diskutuar këtë proces sërish”.
“Ky proces është i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që të dyja palët, veçanërisht Kosova, që ta marrin seriozisht këtë proces dhe të lëvizin në mënyrë të përshpejtuar për ta përfunduar atë”, shtoi ai.
I pyetur nëse Serbia e shkeli marrëveshjen kur votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar tha se nuk është i sigurt për këtë gjë.
“Nuk jam i sigurt nëse ishte shkelje. Kjo varet nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes. Procesi i implementimit nuk ishte vendosur në atë kohë kur u bë votimi, nuk e di nëse Serbia ishte e detyruar të mos e bllokonte [votonte kundër]”, tha Escobar.
Këto komente të Escobarit vijnë një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me ndërmjetësuesit evropianë, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell.
Gjatë këtij takimi, liderët e Kosovës dhe Serbisë shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por u pajtuan për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.
Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.
Ndërsa, draft-statuti për formimin e Asociacionit, i prezantuar nga ekipi menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, u kundërshtua nga Kurti.
Lideri i Kosovës tha se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”, teksa propozoi një draft-vizion të tij.
Vuçiq, në anën tjetër, tha se Kosova “ose do ta pranojë atë për të cilën është rënë dakord në vitin 2015, ose do të jetë fundi i gjithçkaje”.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, tha se ai kishte pritur që të ketë qëndrime të ndryshme nga dy palët për natyrën e Asociacionit, por shtoi se me paraqitjen e draft-statutit për Asociacionin në tryezë, Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të tij.
Ai tha se në takim u diskutua edhe për situatën në terren, sidomos në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe./REL