Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka thënë se për t’u anëtarësuar Kosova në Këshillin e Evropës duhet t’i plotësojë edhe dy kushte pas zbatimit të vendimit për tokat e Manastrit të Deçanit.
Ai ka thënë se dy kushtet tjera janë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe veprimet me shpronësime në veri.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka deklaruar Escobari për REL.
Ai ka deklaruar se Asociacioni nuk është pushtet ekzekutiv mbi kushtetutshmërinë dhe funksionalitetin e Kosovës.
“Më lejoni t’ju tregoj se çfarë është Asociacioni. Asociacioni është në të vërtetë aftësia e komunave me shumicë serbe për të ofruar shërbime në gjuhën serbe, shërbime të cilat ato tashmë kanë të drejtë t’i ofrojnë. Kjo është e gjitha. Asnjë pushtet ekzekutiv, asnjë shtet brenda shtetit, asgjë që do t’u jepte atyre një veto mbi kushtetutshmërinë apo funksionalitetin tuaj’, ka shtuar ai.