Është ndarë nga jeta profesori Fehmi Kastrati. Njoftimin për vdekjen e tij e kanë dhënë familjarët.
Vdekja e profesorit Fehmi Kastrati nga komuna e Kamenicës, konsiderohet humbje e madhe për bashkëvendësit e tij në Karaqevë, Kamenicë e shumë më gjerë. Vlerësohet lartë personaliteti e kontributi i tij në jetën publike e politike.
Vdekja e profesorit të kimisë Fehmi Kastrati po përcillet me reagime, opinione solidariteti, ngushëllime të pafund për familjen Kastrati, e vlerësime maksimale për punën dhe kontributin e prof. Fehmiut ndër vite e dekada, në të mirë të komunitetit.
Figura e veçantë prej intelektuali e dijetari, personaliteti të shquar nga jeta publike, por edhe nga skena politike, e profesorit Fehmi Kastrati, njeriut të urtë e të dashur për të gjithë, ka shtyrë masën e gjerë të shfaqë pikëllimin e thellë, si në vendlindjen e profesorit të ndjerë – Karaqevë, ashtu edhe në mbarë komunën e Kamenicës e shumë më gjerë.
Profesori Fehmi Kastrati cilësohet personalitet me tipare të rralla prej njeriu modest e human, aktivist i devotshëm e punëtor i dalluar arsimor me dekada të tëra, vdekja e të cilit ka shokuar miqtë e farefisin, ndaj edhe kanë ‘vërshuar’ komente e postime të pafund në rrjete sociale nga familjarë para së gjithash, sikurse edhe nga kolegë, miq, bashkëpunëtorë e bashkëveprimtarë.
Siç mësohet nga njoftimi i shpërndarë nga familja e profesorit të ndjerë, Fehmi Kastrati, varrimi do të bëhet të shtunën më 16 korrik, në vendlindjen e tij në Karaqevë të komunës së Kamenicës.