Arbnor Morina është ndër trajnerët më të mirë të derbit Gjilani-Drita, sipas rezultateve të arritura në fushë nën drejtimin e dy ekipeve.
Ai ka folur për “Supersport” para derbit lokal, duke thënë që ata që nuk e kanë përjetuar, nuk mund ta kuptojnë, përcjellë Gazeta Olle.
“Jam me fat që e kam përjetuar derbin si trajner, ku kam marrë rezultate positive. Rivaliteti është shumë i madh mes skuadrave dhe tifozërive. Do të jetë një derbi shumë interesant”, deklaroi Morina.
“Në derbi nuk luan rol tabela, pozicionimi i skuadrave. Është një sfidë e zjarrtë, që megjithatë shpesh nuk jep lojë të bukur në fushë, për shkak të tensionit e presionit”, shtoi ai.
Morina foli edhe për faktin që derbi është zhvendosur në kryeqytet.
“Do të jetë një pamje fantastike në Prishtinë. Shumë qytetarë do ta ndjekin ndeshjen, jo vetëm nga Gjilani”, u shpreh drejtori sportiv i Prishtinës.
“Është një stadium që të jep komoditet, por shpresoj që të gjithë do të jenë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos kemi dëmtime në stadium”, vazhdoi ai.
Së fundmi Morina ishte trajner i Gjilanit, ku u largua pas tensioneve me tifozërinë e këtij klubi.
Ndryshe, Gjilani-Drita zhvillohet të dielën prej orës 20:00.