Që nga vendosja e taksës doganore ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, tregu kosovar ka pësuar ndryshime, ngase importet nga këto dy vende kanë shënuar rënie të madhe. Shumica e prodhimeve nga Serbia tashmë janë zëvendësuar me prodhime vendore dhe me ato nga Shqipëria dhe Maqedonia. Bizneset pohojnë se interesimi i konsumatorëve për produktet vendore është duke u rritur. Por konsumatorët ankohen se e tërë kjo është shoqëruar edhe me ngritje të çmimeve, duke e rënduar edhe më shumë shportën e kon
Taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, ka bërë që prodhuesit vendorë të rrisin prodhimtarinë deri në 100 për qind. Këtë e thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Ai thotë për Radio-Kosovën se në tregun kosovar tashmë janë zëvendësuar produktet më origjinë nga fqinji ynë verior me prodhime edhe më cilësore nga Shqipëria dhe Maqedonia.
“Zëvendësimi i prodhimeve, në vlerë prej mbi 500 milionë nga Serbia dhe Bosnja, është bërë nga prodhimi vendor, importi nga Shqipëria, ku për herë të parë shkëmbimet tregtare me këtë vend kanë arritur mbi 270 milionë euro si dhe nga Maqedonia. Kjo taksë ka rritur imunitetin e shtetit të Kosovës karshi faktorit ballkanik e evropian”, tha Shahini.
Por, Selatin Kaçaniku, nga OJQ “ Konsumatori”, thotë për Radio Kosovën se zëvendësimi i këtyre produkteve nuk mund të bëhet shpejt. Megjithatë ai thotë që nga vendosja e taksës, ka pasur edhe ngritje të çmimeve, gjë që e ka rënduar edhe më shumë shportën e konsumatorit.
“Ne ende nuk po shohim zëvendësim dhe as përmirësim të qenësishëm të cilësisë së prodhimeve vendore. Në të gjitha produktet i kanë ngritur çmimet, dhe kjo është e keqja më e madhe, sepse ngritja e çmimeve ka ardhur te produktet të cilat tashmë kanë qenë në treg, apo kanë qenë në depot e prodhuesve dhe furnizuesve. Ky qenë një veprim aspak i matur dhe aspak i lavdërueshëm i bizneseve, cilat do qofshin ato”, thotë Kaçaniku.
E qytetarët thonë se tashmë vërehet mungesa e produkteve me orgjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.
Ndryshe Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor vendosi që ta rrisë taksën doganore për 100 për qind për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Me gjithë reagimet edhe të faktorit ndërkombëtar, Qeveria, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim, i cili vazhdon të mbetet në fuqi./rtk/