Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mos-liberalizim vizash për Kosovën, duke theksuar se është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor populli i së cilit që nuk mund të lëviz lirshëm nëpër zonën Schengen.
Mandl këtë deklaratë e dha në mbledhjen e Parlamentit Evropian, ku po diskutohet për Kosovën dhe raportin e progresit të saj.
“Sot po flasim për Republikën e Kosovës dhe raportin e Kosovës. Dua të them se Kosova e ka paguar me gjakun e saj lirinë, BE-ja dhe SHBA-ja e ndihmuan vendin për të fituar pavarësinë. Ky vend është bërë demokratik dhe ka shtet ligjor dhe këtë e ka bërë në shpejtësi të madhe. Është demokraci e qëndrueshme. Po, ligjvënia duhet të përmirësohet, por shteti ka një Kushtetutë të fortë”, ka deklaruar ndër të tjera Mandl.
Tutje, Mandl ka cilësuar se kosovarët janë populli më përkrahës i projektit të zgjerimit të BE-së, teksa ka thënë se mund të mësohet shumë nga ta dhe Kosova si demokraci e re.