Kur Aro Muriç vendosi të ja dhurojë këpucët tifozit Avdullah Berisha të njohur ndryshe si “Evi” as nuk do ta kishte menduar se mund ti dilte një problem i tillë. Por, ashtu edhe ndodhi, megjithëse gjithçka doli të jetë një keqkuptim.
Këpucët që Aro ia dha personit përgjegjës për siguri në Federatën e Futbollit të Kosovës shkuan në duart e një tifoze tjetër me nevoja të veçanta, pasi që “Evi” ishte larguar nga stadiumi dhe porosia u ngatërrua pa dashje, raporton Gazetasheshi.com.
Pas raportimeve në media se këpucët e Aros nuk përfunduan në duart e “Evit” dhe ky i fundit e bëri publike këtë fakt, zyrtarët për siguri në FFK dhe personeli i stadiumit “Fadil Vokrri” ka shikuar me kujdes kamerat e sigurisë dhe ka vërejtur që këpucët e Aros i janë dhuruar një vajze me nevoja të veçanta e cila gjithashtu ishte në stadium.
Përcjellësja e saj ka njoftuar “Evin” se këpucët që Aro ia dhuroi atij gjenden në shtëpinë e tyre dhe se do t’ia kthente porsa ta shihte atë.
Ajo është njoftuar vetë dhe ka sqaruar se gjithçka ka qenë një keqkuptim, pasi që personi përgjegjës i sigurisë ua dhuroi atyre këpucët e Aros duke mos e ditur se këpucët ishin të dedikuara për “Evin”.
Por, “Evi” bëri një gjest fantastik, derisa vendosi që t’ia falë këpucët vajzës e cila i posedon ato.
Informacionin e konfirmoi vetë ai në një prononcim për Gazetën SHESHI.
Madje, ai ka falenderuar personelin dhe personat përgjegjës që u munduan dhe e zbuluan rastin.