Në një atmosferë të ngrohtë e mikpritëse, Uji Trepika, së bashku me një grup të rinjsh vullnetarë, organizoi sot një aktivitet simbolik në pikën kufitare të Muqibabës, ku bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në Kosovë u pritën me shishe uji, si shenjë mirëseardhjeje dhe respekti për rrugëtimin e tyre drejt vendlindjes.
Përveç këtij gjesti mikpritës, pjesëmarrësit zhvilluan edhe një aksion pastrimi në afërsi të pikës kufitare, duke larguar mbeturinat dhe duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Kjo nismë synon të promovojë përgjegjësinë qytetare dhe të dëshmojë se çdo kontribut, sado i vogël, ndihmon që Kosova të jetë më e pastër dhe më e bukur.
Organizatorët falënderuan të gjithë vullnetarët që iu bashkuan aktivitetit, si dhe Ujin Trepika për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e kësaj iniciative.
Me këtë rast, u përcoll edhe një mesazh i veçantë për mërgimtarët: “Mirë se erdhët në Kosovë! Ju urojmë pushime të mbara, shëndet dhe sa më shumë momente të bukura me familjet dhe të dashurit tuaj. Mirë se vini në shtëpi!”

