Në një kohë kur përfaqësimi i denjë i qytetarëve kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe integritet të lartë, Fadil Ademi po shfaqet si një figurë aktive dhe e përkushtuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Si asamblist nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ai po dëshmon çdo ditë se roli i një përfaqësuesi nuk duhet të kufizohet nga përkatësia partiake, por të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve.
Në vetëm pak muaj angazhim, Ademi ka ngritur një sërë çështjesh të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt jetën e banorëve në Gjilan dhe rrethinë. Qasja e tij proaktive dhe e paanshme ka sjellë në vëmendje problematika konkrete nga lokalitete të ndryshme, duke reflektuar një përkushtim të sinqertë për zgjidhjen e tyre.
Ajo që e dallon Fadil Ademin është pikërisht kjo qasje gjithëpërfshirëse duke vepruar si një përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallime politike, edhe në situatat kur pushteti lokal udhëhiqet nga subjekti i tij politik. Ai po vendos një standard të ri në funksionimin e kuvendit komunal, duke e orientuar fokusin drejt transparencës, përgjegjësisë dhe veprimit konkret.
Angazhimi i tij i vazhdueshëm është i dukshëm në çdo seancë, ku pothuajse nuk kalon ditë pa ngritur çështje me interes publik çështje që reflektojnë drejtpërdrejt nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Para se të merrte këtë rol përfaqësues, Fadil Ademi ka shërbyer si shef i Shërbimit të Gjendjes Civile në Gjilan, ku është vlerësuar për performancë të lartë dhe profesionalizëm. Megjithatë, ai zgjodhi të kontribuojë në një nivel tjetër duke hyrë në politikë lokale për të përfaqësuar drejtpërdrejt qytetarët.
Sot, përmes punës së tij në kuvend, ai po dëshmon se përfaqësimi dinjitoz nuk është vetëm një detyrë formale, por një mision që kërkon përkushtim, guxim dhe përgjegjësi të vazhdueshme ndaj komunitetit./Radio Star/

