Nehat Osmani
“Nëse do gjurmonim syzheun domethënës të shprehjes “QYTETARÌ”, do duhej patjetër të hulumtonim jetën, veprën dhe personalitetin e këtij njeriu të madh të qytetit të Gjilanit. Vetëm atëherë do gjejmë kuptimin e vërtetë të saj”.
Kështu do e filloja storien e shkurtër për këtë kolos të gjallë të qytetit tonë të cilin asnjëherë nuk patëm rast ta nderojmë ashtu sikur ai nderoi qytetin tonë.
FAHREDIN SHERIFI, ishte profesor i matematikës në Gilan që njëkohshëm ligjëronte në paralelet shqipe, turke dhe serbe.
Farka ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave i cili me gjeneratën e vet më 1963 i solli qytetit të Gilanit titullin e kampionit të Kosovës. Ishte traineri më produktiv që ngriti dhe gjeneroi gjeneratën më të sukseshme në historinë e qytetit tonë. F. Sherifi një kohë të gjatë nga viti 1979 – 1992 ishte “Drejtor i palestrës sportive” ku organizoheshin manifestime të mëdha sportive e kulturore. Një kohë jetoi në Turqi nga ku afirmoi dhe loboi të arriturat e qytetit tonë në sport, arsim dhe kulturë.
Farka gjatë tërë jetës së tij ka qenë sinonim i edukatës, kultivues i kulturës, përfaqësues i qytetërimit përgjatë gjeneratave të tëra.
Ka personalitete që admirohen dhe u vlen vepra por ama fare nuk u vlen jeta e cila nganjëherë e zbeh dhe vet veprën, sikur që ka personalitete që u shndrit jeta, por ama pak ose hiç vepra, që shpesh ua nxin dhe vet jetën.
Ka personalitete që në një kohë a në një fushë janë shembull për t’u ndjekur e në tjetrën e diku tjetër janë denigrimi i së njejtës, por rrallëherë e rrallëkund ndodh të gjeni personalitete ku edhe vepra edhe jeta t’u shkrihen në një, të plotësojnë njëra tjetrën, t’u ndërthuren fjala e zemra, qëndrimi e gjykimi, puna e veprimi.
I tillë ishte dhe vazhdon të jenë Farka, një zotni, efendi, intelektual, ikonë panoramike e Gjilanit, shembulli me të cilin krenohen ata që mësojnë gjenerata të reja duke mësuar nga ai, ata që edukojnë breza të tërë duke u edukuar nga ai. Për Farkën flasin e do flasin gjithnjë si amblemë e ndershmërisë dhe civilizimit gilanas.
Kërkoj të merrni në konsideratë jetën dhe veprën e këtij burri të merituar të qytetit tonë dhe ta nderoni me titullin “NDERI I QYTETIT”, ashtu sikur ai nderoi dhe me shembullin e tij kultivoi dhe mbolli vlera të paçmuara tek njerëzit e qytetit tonë dhe i dhanë prestigjin e lartësuar komunës sonë.