Pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit të Malit të Zi, e cila i vërtetoi dënimin me 14 vjet burg ish-ushtarit të Ushtrisë Jugosllave, Vlado Zmajeviq, për vrasjen e katër civilëve, familja Haziri nga Zhegra e Gjilanit janë shprehur të pakënaqur.
Muhadin Haziri, të cilit i janë vrarë prindërit dhe xhaxhai më 30 mars 1999, në emër të familjes, thotë se kjo gjykatë është dashur ta dënojë Zmajeviq me burgim të përjetshëm.
“Jemi të pakënaqur me dënimin. Ne kemi kërkuar në aktgjykimin e shkallës së dytë burgim të përjetshëm. Të vriten katër persona e vrasësi të dënohet vetëm me 14 vite, kjo na ka shqetësuar shumë si famije. Konsiderojmë se Gjykata e Podgoricës po e shfryëton këtë aktgjykim si arsyetim para BE’së, kinse po i gjykojnë kriminelet të cilët vranë njerëzit e pafajshëm”, ka thënë Haziri për MediaFokus.
Vlado Zmajevic u arrestua nga policia malazeze në vitin 2016 në qytetin e Nikshiqit. Ai u shpall fajtor për vrasjen e katër civilëve shqiptarë, Milazim Haziri, Qazim Haziri, gruan e Qazimit, Qamilen dhe Ymer Kadriun nga fshati Dunav i Karadakut.
Ky ishte një gjykim i rrallë i krimeve të luftës në Mal të Zi./MediaFokus/