Edhe sot, si tash e 20 vite, populli i Kosovës përkujton dhe nderon heroizmin dhe sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë atyre që dhanë jetën për liri, për bërjen e shtetit dhe për pavarësinë e Kosovës, ideal ky për të cilin dëshmoret dhanë gjithë çka patën, si mendjen, trupin e shpirtin, për të vetmin qëllim që Kosova të jetojë e lirë, e pavarur dhe në paqe gjithmonë.
E lavdishme mbetet përherë lufta e UÇK-së, e cila brenda vetes ngërthen dhe shënon një pikë kthese në historinë më të re të Kosovës, që nga vitet e 80-ta e deri më 1999, kur ideali i përbashkët yni, filloi të lulëzojë dhe të ngreh fije shprese mes njerëzve që ndër shekuj njohën vetëm vuajtje, mundim dhe mungesë lirie, në mënyrën më të padrejtë, nga pushtuesi i atëhershëm.
Ky pushtues nuk njohu njerëzinë dhe bëri atë çfarë bota e di, ndaj një popullate të pafajshme, e cila nuk kërkoi gjë tjetër, përveç të drejtës për të jetuar qetë në tokën e të parëve të vetë.
Sot historia a marsit, aq sa na sjell kujtime të trishta, me vete na sjell edhe porosi të mëdha, që të punojmë e të angazhohemi për ndërtimin e shtetit, për promovimi e paqes kudo, duke krijuar kështu një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë.
Uroj që Kosova të bëhet ëndërr e jetësuar e dëshmoreve tanë.
……………………………………………..
(fjala e kryesueses së Kuvendit Komunal të Gjilanit, mbajtur në seancën solemne për shënimin e epopesë së UÇK-së)
Familja Jashari dhe dëshmorët tjerë u sakrifikuan që Kosova të jetojë e lirë
Ndani këtë artikull