Emri i ish-politikanit serb të Kosovës, njëherësh të akuzuarit kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, Millan Radoiçiq, është i njohur për shumë qytetarë të Gjakovës.
Që nga viti 1999, emri i tij është përmendur në mesin e familjeve gjakovare, të cilave iu vranë familjarë në kohën e luftës, thotë Luljeta Sharani nga Gjakova.
Sharani, së cilës më 10 maj 1999 iu vranë burri, dy djemtë dhe dy kunetërit, thotë se emrat e serbëve që morën pjesë në dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë janë dërguar prej kohësh në Prokurori.
“Është folur jo vetëm emri i [Millan] Radoiçiqit, por i të gjithë të tjerëve që kanë marrë pjesë në vrasje”, thotë Sharani.
Nën dyshimet për përfshirje në krime lufte në periudhën 1998-1999, së fundi Gjykata Themelore e Prishtinës lëshoi fletarrestime për Millan Radoiçiqin dhe 19 persona të tjerë, për çka raportoi ekskluzivisht Gazeta Online Reporteri.net dhe publikoi urdhërarrestin.
oiçiq dhe të tjerët, sipas Kodit Penal, janë të dënueshme nga 5 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.
Deri më tani, nuk dihen përgjegjësitë individuale të të dyshuarve për të cilët janë lëshuar fletarrestime.
Në të njëjtën kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka njoftuar për ngritje të aktakuzës.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL nëse është në dijeni për detajet e vendimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve ndaj të akuzuarve, dhe nëse ka pasur ndonjë kontakt me Prishtinën në lidhje me këtë rast.
Publikimin e fletarrestimeve në këtë kohë e cilëson të pakuptimtë drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj.
Me ketë veprim, thotë ai, u është dhënë më shumë hapësirë të dyshuarave të shmangin drejtësinë, derisa shpreh habi për vonesën në hetimin e këtij rasti.
“Është pak për t’u habitur pse më herët nuk është përgatitur lënda. Nuk është hulumtuar. Ne e dimë që njëri prej tyre [Millan Radoiçiq], vite më parë ka qenë prezent në Kosovë. Ka lëvizur nëpër Kosovë dhe ka mundur të arrestohej”, shprehet Blakaj.
“Ne dimë që Radoiçiq ka qenë i përfshirë në politikë. Ka qenë edhe në Prishtinë. Pra, ka mundur lehtësisht të arrestohej”, thekson Blakaj.
Krahas këtij fletarrestimi, Radoiçiq kërkohet nga institucionet e Kosovës edhe për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, e mori vetë Radoiçiq.
Pritjet e familjarëve
Ani pse besojnë se hetimi i këtij grupi nisi me shumë vonesë, familjarët e viktimave urojnë të ketë drejtësi.
Shpresën thonë të mos e kenë humbur ende.
“Unë trupin e babës e kam marrë copa-copa. Unë ende trupin e babës e kam të varrosur pa kokë. Por, shpresojmë në drejtësi. Më mirë vonë se kurrë”, shprehet Ngadhnim Bicurri.
Trupi i babait dhe dy xhaxhallarëve të Bicurrit u gjetën pas luftës, në varrezën masive në afërsi të kryeqytetit serb, në Batajnicë.
Në të njëjtin vend u gjetën edhe trupat e gjashtë familjarëve të Luljeta Sharanit, e cila uron që të arrestohen dhe dënohen të gjithë të dyshuarit për këto vrasje.
“Tepër vonë i ka rënë ndër mend Prokurorisë se çfarë duhet të bëjnë. I vetmi ngushëllim i yni është drejtësia”, shprehet Sharani.