Në një deklaratë të përbashkët familjarët e katër viktimave të aksidentit në Mramor, ku ishte përfshirë edhe eskorta e Ambasadës së Turqisë ka kërkuar zbardhjen e rastit.
Kanë kaluar dy javë që kur 4 anëtarë të familjes Shala vdiqën në një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë-Gjilan, dhe familjarët thonë se gjithçka që u është thënë është një ilustrim i paqartë.
“Sot janë bërë dy javë nga aksidenti ku ne humbëm 4 anëtar të familjes. Edhe pas daljes së ekspertizës dhe pas takimit me prokurorin Blerim Ignishta akoma nuk kemi sqarime të sakta rreth zbardhjes së aksidentit në Mramor, të datës 16-11-2018, e gjithë ajo që na është thënë deri tani është një ilustrim i paqartë për ne si familjarë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të familjes Shala.
Ekspertiza që është bërë deri tani është e papranueshme për familjen Shala. Në të thuhet se vetura, në të cilën gjendeshin 4 viktimat e aksidentit, rezulton të jetë fajtore.
“Ekspertiza që është bërë nga tre ekspertë të Prokurorisë është e papranueshme për ne si familjarë dhe është një version që ne aspak nuk i besojmë, pasi që kemi parë që në të ka shumë lëshime duke u bazuar në shkresat dhe fotot që janë bërë nga Prokuroria dhe Policia. Këtë e kemi kuptuar edhe më shumë duke u këshilluar nga ekspertë të komunikacionit që ne i kemi angazhuar dhe kemi kërkuar që të bëjmë një ekspertizë tjetër të pavarur dhe të dihen shkaqet e aksidentit që çoi në humbjen e 4 familjareve tanë”, thuhet më tutje.
Familja Shala kërkon nga personat që kanë qenë prezent në momentin që ka ndodhur aksidenti të japin informacione të sakta.
Ne si familjarë të të ndjerëve në aksidentin që ka ndodhur në Mramor kërkojmë nga gjithë ju që keni qenë prezent në kohën kur ka ndodh aksidenti të na ndihmoni me informata më të sakta, si ka ndodhur dhe çka keni pa gjatë asaj kohe sa keni qëndruar në vendin e aksidentit? Dëshirojmë ta zbardhim rastin në mënyrë të denjë. Të bëhemi njëherë e përgjithmonë shqiptarët për shqiptarët. Kontaktet për ne mund t’i merrni tek redaksia apo kontaktoni direkt me ne te familja Shala në Ponesh dhe te familja Rashiti në Gjilan”, thotë familja Shala./insajder/